Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti përdori standarde të dyfishta kur e paraqiti ekspozenë për 100 ditët e qeverisë që ai e drejton.
Haziri në Edicionin Special në Klan Kosova tha se Kurti deshi ta përdorë një trik politik për ndarje të LDK-së.
“Janë 50 ditë qeverisje dhe 50 ditë ushtrim detyre dhe është kabineti i parë që nuk e pati mundësinë që të dëshmohet në 100 ditët e para. Albin Kurti ka dëshmuar sot se e ka injoruar faktin e mocionit të mosbesimit dhe ka tejkaluar Kuvendin karshi prezantimit të 100 ditëve edhe me brendim dhe slogan të ri”.
“Ajo që sot e dëgjuam në ekspoze është standard i dyfishtë, prezantimi i punës 100 ditore filloi me injorimin e 50 ditëshit të dytë që ka qenë ushtrim detyre që nënkupton mandat të kufizuar në ushtrim. Standardi i dyfishtë është aplikuar edhe karshi kabinetit qeveritar duke dashur ta dallojë pjesën e kabinetit ku ka përfaqësim LDK-ja, sipas marrëveshjes politike për qeverisje të përbashkët, duke dashur të bëjë një trik politik për ndarje se një LDK e mirë dhe një LDK e keqe ekziston në Kosovë. Këtë politikë Albin Kurti e ka përdorur edhe karshi Kuvendit, një LDK e mirë në Kryesi të Kuvendit dhe një LDK e keqe në Kuvendin e Republikës”.
“Trikun politik për përçarje, Albin Kurti e përdori edhe në arenën ndërkombëtare duke u pozicionuar më antiamerikan në disa raste duke dashur të plasojë edhe një raport të tensionuar me presidentin”.
Haziri ka thënë se “ministrat e LDK-së e kanë treguar kulturën institucionale, por nuk kanë lejuar që të ofendohen” gjatë prezantimit të ekspozesë për 100 ditët e Qeverisë Kurti.
“Nuk lejuan që të lëndohet LDK-ja si parti institucionaliste. Neve na riktheu kujtimin e vitit 2010 – e përbashkëta e qeverisjes së kabinetit të Albin Kurtit me kabinetin e PDK-së në vitin 2010 është e njëjtë, edhe në kuptimin e gjetjes së fajtorit dhe në mënyrën se si ka udhëhequr”.
“Edhe PDK-ja nga viti 2008 deri në vitin 2010 ka bërë spastrime politike – largime të bordeve, drejtorëve, paralajmërime për sundim të ligjit me politikë eliminuese. Edhe kjo qeverisje nëse do të mbahet mend diçka është për spastrime politike në ndërmarrjet publike, me apo pa arsye, me apo pa raporte, për të vendosur militantë partiakë dhe për të ndërruar format të njerëzve në emër të sundimit të ligjit”.
Ai është shprehur i bindur se “LDK-ja nuk mund të përçahet”.
“Nuk ka dy as tri LDK-ja të përfaqësuara në institucione, është një dhe unike. Nuk marrim qëndrim pro dhe kundër. Ne respektojmë institucionet, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe kabinetin qeveritar dhe presidentin Hashim Thaçi deri kur e ka mandatin. Por, as Hashim Thaçi dhe as Albin Kurti nuk mund të vendosin politika përçarëse në LDK. As ky dhe as ai tjetri nuk mund të bëjnë trika politikë për të përçarë LDK-në.
Pasi që LDK-ja u ndje e fyer nga kryeministri në detyrë, a do ta shqyrtojë që t’i tërheqë ministrat e vet në Qeverinë Kurti?
“LDK-ja e ka mandatin sipas votave të qytetarëve të 6 tetorit dhe sipas një marrëveshje politike e cila e ka humbur fuqinë në Kuvend për shkak të mocionit të mosbesimit. Ministrave iu është kërkuar nga kryetari dhe kryesia e LDK-së që të vazhdojnë ta kryejnë detyrën profesionalisht me krejt dijen dhe përkushtimin e vet”.
“Ne jemi sjellë dinjitetshëm si institucionalistë dhe nuk kemi lejuar dhe nuk lejojmë sjelljen ndryshe. Ministrat tonë do ta kryejnë detyrën deri në minutën e fundit”.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...