Hazir Borovci, dëshmitari i katërt i mbrojtjes së Salih Mustafës, në seancën e së mërkurës, ka thënë se është i bindur në pafajësinë e këtij të fundit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Silvia D’ascoli, të njëjtit i janë paraqitur disa postime që i ka bërë në rrjetin social Facebook, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për njërën foto, prokurorja e ka pyetur se a është ai në të dhe dëshmitari e konfirmoi këtë.
I pyetur se a ka qenë pjesëtar i BIA-së ndonjëherë, ai tha se ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe njësitit gueril që ka qenë pjesë e UÇK-së dhe BIA.
“Pjesëtar i UÇK-së, pjesës së Prishtinës, njësitit gueril të Prishtinës që ka qenë në kuadër të UÇK-së, në kuadër të gueriles BIA, sepse guerila BIA ka qenë pjesë e UÇK-së”, tha ai.
Më pas, iu tregua një postim tjetër i tij, për të cilin dëshmitari konfirmoi se është postim që e ka shkruar atë.
“Nuk më kujtohet, por është foto e pasluftës me shokë qe kemi punuar bashkërisht gjatë vitit 1998 dhe 1999”, tha Borovci.
Dëshmitari tha se me disa prej atyre që janë në foto e që po i njeh, ka punuar më 1998 dhe 1999, kurse me pjesën tjetër janë takuar pas luftës.
Në foto, ai përmendi përveç tij janë edhe Jakup Ismaili e Gani Sopi, të cilët i njihte dhe disa persona të tjerë.
“Mbi 40 vite bashkë kemi qenë shokë dhe kemi punu më ’98 dhe ’99. Edhe më herët bashkë kemi qenë, jemi edhe fqinjë afër”, ka thënë ai për Gani Sopin.
Tutje, për Sopin deklaroi se ishte pjesë e UÇK-së të Prishtinës, ku fillimisht ishin bashkërisht pjesëtar të Prishtinës pasi në fillim nuk e kanë ditur kush është guerila e BIA dhe para bombardimeve e kanë kuptuar për guerilën.
“Gjegjësisht më vonë e kemi kuptuar që kemi qenë pjesë e njësitit të Prishtinës, guerila BIA”, tha ai.
Me Jakup Ismailin, ai deklaroi se kanë punuar në LDK dhe në këshillin për emergjencë të Prishtinës pasi territorialisht ai jeton në pjesën jo shumë larg lagjes “Velania” dhe kanë pasur njohje e punë të përbashkëta, si në LDK, ashtu edhe në këshillin për emergjencë.
Kurse, tha se me Ismailin është takuar më vonë sa i përket vijës së ushtrisë në Budovc, por se fillimisht e ka pasur njohjen me të në LDK dhe këshill për emergjencë.
“Është marrë zakonisht me pjesë të shëndetësisë”, tha ai.
Ndërkaq, për periudhën kur është bërë kjo foto tha se nuk është gjatë luftës, por pas luftës. Sipas tij, nuk e mban mend se kur është bërë konkretisht kjo fotografi pas lufte.
Komenti në këtë postim ishte “gjatë periudhës kur po formohej guerrila BIA”, e dëshmitari tha se ka qenë koment i lirë, pas 13 vitesh të përfundimit të luftës dhe nuk ka pasur të bëjë me ndonjë specifikë apo fotografi.
“Për të mos harruar, për të kujtuar të kaluarën pas 13 viteve, në shenjë të respektit, përkujtesës, asgjë tjetër. Kështu po mendoj që kam bo atëherë, me logjikën e 2013”, tha dëshmitari.
Gjykatësja Mappie Veldt- Foglia e pyeti se përse e kishte postuar pikërisht këtë fotografi dhe jo një tjetër.
“Flas për luftën, kam dëshirë ta postoj fotografinë e luftës, kur flas për UÇK-në, edhe pse se kisha uniformën se s’kishte, kam dëshirë të postoj një fotografi me uniformën e UÇK-së, për këtë arsye do të thotë e kam bërë atëherë”, tha ai.
Prokurorja D’Ascoli e pyeti se a pajtohet se në këtë fotografi nuk ka vesh askush uniformë, e dëshmitari tha se kjo fotografi s’ka të bëjë me luftën, është e pasluftës dhe orientimisht mund të jetë viti 2000.
Më pas, prokurorja i kërkoi të sqaronte se përse thotë gjatë lufës në postimin në fotografi.
“Kemi fotografue gjatë periudhës së luftës, do të thotë se nuk është ba, nuk është ba gjatë periudhës së luftës se këta s’po i njoh, nuk janë pjesë që kam punue gjatë asaj fazës”, tha dëshmitari.
Ai u pyet se kush janë personat e tjerë që i njeh në këtë fotografi, e dëshmitari tha se i njeh, por ka kaluar kohë e gjatë.
“Ky afër Ganiut, emri dhe mbiemri s’po më kujtohen tash se dikun prej 2002-2003 nuk kam pas kontakte me të, por si figurë po e njoh. Ky me tesha të zeza, do të thotë ka punu dhe me gjasë punon në Policinë e Kosovës. Më duket se pas Policisë të Kosovës punon në Postë-Telekom, me profesion o inxhinier, por s’po më kujtohet emri se ka kalu kohë e gjatë”, tha ai.
Pas kësaj, prokurorja D’Ascoli tha se dëshiron të kërkojë disa sqarime sa i takon deklaratës së mëparshme që i ka dhënë mbrojtjes.
“Kur ju pyetën për dijenitë për BIA-në, ju kanë pyetur a ke dëgjuar ndonjëherë për një grup ose njësi të quajtur BIA dhe ti në këtë rast i pyete për sqarim po flasim për Baronin Ilirin Agronin, ti je përgjigjur se ke dëgjuar për këtë dhe ke thënë se ke dëgjuar për herë të parë diku para 24 marsi. Pastaj je pyetur a e di çka ka qenë dhe ke thënë nuk kam shumë njohuri sepse nuk jam marrë me ta, e dinim se punonin për të mirën e vendit e ishin patriotë e vërtetë”, tha ajo.
Më pas, e ka pyetur se a i kujtohet se i ka thënë këto fjalë, e dëshmitari tha se ashtu është.
Tutje, tha se shkrimi te fotografia dhe kjo që ka thënë janë krejt të njëjta.
“Në fillim kur jemi formue, organizue si grup, nuk kemi pas njohuri për guerilën BIA. Para 24 marsit duke i falenderu Isa Kastratin, Mustafë Sopin që kanë pas njohuri për UÇK-në e Salih Mustafën. Na kanë tregu kush çka, por janë ruajtë për shkak të rrezikut. Ma vonë, mandej e kemi kuptu se edhe na jemi pjesë e guerilës, jemi pjesë e BIA-së, pjesë e ushtrisë çlirimtare të Prishtinës”, tha ai.
Ajo e pyeti se a është e vërtetë që dinte më shumë për BIA-në se sa i ka thënë avokatit, e dëshmitari tha se kjo çka i ka thënë avokatit është e saktë, kurse nëse jep përgjigje prej prizmës së sotit apo 2013 është normale që di më shumë.
“Por, te avokati kam dhënë përgjigje në kontest të kohës 1998-1999”, tha ai.
Prokurorja i tha se ai ka thënë se nuk ka njohuri shumë për BIA-në dhe nuk është marrë me ta.
“Sigurisht përkthimi, por prapë po them, edhe atëherë edhe sot qëndroj pranë kësaj do të thotë se atëherë në periudhën ’98 deri para 24 marsit kemi pas ma pak njohuri për njerëz të caktum se është punu në mënyrë ilegale, të fshehtë. Ka 24 marsi kanë fillue me na tregue shokët se kush janë njerëz të caktum”, tha ai.
Më pas, iu tregua një foto tjetër, ku në të ishin dëshmitari, Salih Mustafa dhe Adem Shehu, komandant i brigadës 153, ku për këtë të fundit tha se atëherë nuk e ka njohur. Edhe një person tjetër tha se nuk e ka njohur atëherë, e që është Fatmir Sopi.
Ndërkaq, tha se nuk i kujtohet kur është saktë fotografia, por se është bërë pas luftës.
Ai është pyetur çfarë njohurie kishte për Adem Shehun dhe Fatmir Sopin gjatë luftës, për këtë tha se ka dëgjuar për ta, por se nuk ka pasur njohuri.
Prokurorja tha se do të kërkojë sqarime lidhur me njohuritë që ka me brigadën 153, ku në ekran u shfaq dhe deklarata e dhënë mbrojtjes.
“Ju pyetën për pjesëtar specifik të UÇK-së, a e keni takuar ndonjëherë Famir Sopin, në atë kohë nuk e njihja Fatmir Sopin edhe nëse do ta takoja s’do ta njihja. Pas luftës kam dëgjuar që ka qenë pjesë e UÇK-së, pastaj të bëhet pyetja a ke dëgjuar për Adem Shehun, thoni se keni dëgjuar dhe takuar vetëm pas luftës. I pyetur a dini diçka për brigadën 153, përgjigja është jo, a është e saktë”, ka thënë prokurorja D’Ascoli.
Dëshmitari tha se është ashtu si e ka thënë dhe qëndron pas kësaj deklarate.
“Dua të ju bëj një pyetje për të bërë një sqarim për atë që është thënë. Ju thatë që keni dëgjuar për Adem Shehun, e keni takuar pas lufte, që nuk dinit ndonjë gjë për brigadën 153 dhe se në atë kohë nuk e njihnit Fatmir Sopin dhe edhe po ta kishit takuar nuk do e dinit që është Fatmir Sopi dhe vetëm pas luftës e keni takuar. Pyetja ime është kjo, në kohën kur keni dhënë intervistën nuk keni përcaktuar saktësisht njohuritë që kishit për Adem Shehun, Fatmir Sopin dhe brigadën 153”, tha prokurorja.
Kurse, dëshmitari tha se intervistën kur e ka dhënë, e ka bërë periudhën 1998 dhe 1999 dhe qëndron pas saj.
“Nuk e kam njohur, nuk e kam takuar, e kam takuar pas luftës dhe paraprakisht për fotografinë kur e qite këtu, unë e thash të njëjtën”, tha Borovci.
Kurse, i pyetur se a e konsideron Salih Mustafën shok, ai thotë se kur e ka njohur dhe ditur veprimtarinë e tij që nga takimi në Budovc e edhe sot e ka shok, pasi i lidhte veprimtaria, puna për çlirimin e Kosovës dhe karakteri tjetër shumë i shprehur human për ndihmë të popullatës civile.
“Me aq sa syri im e ka parë, veshi im i ka dëgjuar, qasjen, punën prej se e njoh Salih Mustafën, jam shumë i bindur dhe e them me përgjegjësi që Salih Mustafa, në fund ka mu bind edhe gjykata, kam besim te trupi gjykues dhe të gjithë ju, që ka me dalë tërësisht i pafajshëm”, tha ai.
Ai tha se i kujtohet kur është bërë përmes mediave publike se Salih Mustafa do të intervistohej në Hagë.
Më pas, u shfaq një postim, ku u pyet se a i kujtohet se e ka para këtë postim në Facebook të Brahim Mehmetaj që kishte të bënte me rrugëtimin që Mustafa po e bënte për intervistë.
“Ju keni postuar një koment për këtë postim, “rrugë të mbarë i nderuar komandanti Salih Mustafa, jam i bindur në faqebardhësinë tuaj, respekt për jetë e mote për gjithë çlirimtarët”. Ju kujtohet kjo”, tha prokurorja.
E dëshmitari tha se ai e ka shkruar këtë dhe nuk është postim i tij, por koment.
Ndërkaq, pastaj u pyet se a është shok me Mehmetajn, gjë të cilën dëshmitari konfirmoi këtë dhe tha se jetojnë afër.
Tutje, u shfaq një postim i korrikut 2019, ku Mehmetaj kishte postuar foto me të dhe u pyet nëse i kujtohet se e kanë etiketuar në këtë foto.
Dëshmitari konfirmoi këtë dhe tha se shihet shpesh me të pasi një rrugë i ndan, pasi jetojnë afër.
Në vijim, u shfaq edhe një postim që e ka bërë nga hoteli ku është i vendosur në Hagë.
“Pra, pasi mbërritët në Hagë për dëshminë këtu. Keni thënë “përshëndetje miq, sot kam ardhur në Hagë për të dëshmuar për drejtësinë dhe luftën çlirimtare të UÇK-së si kapitullin më të lavdishëm të historisë kombëtare”, lexoi prokurorja.
Ai tha se këtë e ka shkruar, kjo për shkak që opinioni të jetë në dijeni se jam dëshmitar i mbrojtjes dhe ka ardhur me dëshirë dhe krenohet se është kryetar dege i LDK-së.
“Shkrimi është i imi, kam thënë për të drejtën, drejtësinë dhe kapitullin, veprën më të lavdishme të UÇK-së. Është shkrim i imi dhe këtë e kam bërë publikisht, hapur”, tha ai.
Prokurorja e ka pyetur nëse dëshminë këtu e konsideron se çuarje përpara të kauzës të luftës çlirimtare të UÇK-së.
“ Kauzën e UÇK-së nuk e çoj unë përpara, e ka çu vet UÇK. Jam hisedar i UÇK-së, pastërtinë të drejtën e luftës, e ka dëshmuar NATO”, ka thënë ai.
Tutje, tha se është i bindur në pafajësinë e të akuzuarit Mustafa dhe se tha se nuk kërkon mëshirë, por drejtësi dhe është i bindur se do të triumfojë drejtësia, e drejta dhe e vërteta.
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030