Haxhiu: Sulmet në veri të dirigjuara nga Beogradi, partnerët tanë ta dënojnë aktin

11:08 | 24 Shtator 2023
E.H

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri si dhe ka kërkuar nga partnerët tanë, që të dënojnë këtë akt.

Haxhiu ka thënë se vrasja e policit dhe plagosja e një tjetri erdhën nga strukturat e organizuara terroriste e kriminale të dirigjuara nga Beogradi, shkruan Arbresh.info

“Vrasja e policit dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës nga strukturat e organizuara terroriste e kriminale të dirigjuara nga Beogradi, është sulm kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Dënoj ashpër këtë agresion të Serbisë dhe bëj thirrje tek partnerët tanë që të veprojnë, të dënojnë ashpër këtë akt dhe të jenë me Republikën e Kosovës duke marrë kështu anën e së drejtës. Nuk duhet të ketë qëndrime indiferente apo pozicionim që nuk i kontribuon sundimit të ligjit dhe drejtësisë. Krimi është i qartë, ka adresë dhe organizim, dhe ai është Beogradi zyrtar me në krye Vuçiqin”, ka shkruar Haxhiu.

Mes tjerash, e para e MD-së ka thënë se është me Policinë e Kosovës, me përpjekjen e tyre për ruajtjen e sovranitetit.

“Që në orët e hershme të mëngjesit kam qenë në komunikim me institucionet përgjegjëse. Do të ketë bashkëpunim serioz institucional në kapjen e ekzekutorëve dhe sjelljen e tyre para drejtësisë. Në këtë moment të trishtë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim me familjarët dhe kolegët e policit të vrarë. Jemi me ta në këto momente të vështira. Mbetet përkushtimi ynë që drejtësia të bëhet, krimi dhe terrorizmi të luftohen edhe në veri të vendit, dhe që paqja dhe stabiliteti të triumfojë në tërë Kosovën. Jemi me Policinë e Republikës tonë, në përpjekjen e tyre të pashembullt për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, në luftën e tyre për rend dhe ligj.”, ka shkruar Haxhiu./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme