Google ADS

Haxhiu: Specialen e gjetëm të kryer, nuk e sollëm ne

13:20 | 23 Korrik 2022
Fjolla Bajraktari

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se Gjykata Speciale si pjesë e Kushtetutës së Kosovës nuk mund të ndryshohet, veçanërisht kur pjesë e Kuvendit është edhe Lista Serbe.

Haxhiu, në një konferencë për media tha se përgjegjës duhet të mbahen ata që ua kanë bërë presion deputetëve në kohën kur u themelua Gjykata Speciale më 2016, dhe jo qeveria aktuale.

“Siç e dini Gjykatën Speciale e kanë futur në Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa votat e 2/3 të deputetëve shqiptarë dhe pa 2/3 e votave të komuniteteve. Siç e dini, edhe Lista Serbe është në Kuvend dhe nuk jep mbështetje për një gjë të tillë. Ne e kemi gjetur Gjykatën Speciale si fakt të kryer. Përgjegjës nuk mund të mbahemi ne, përgjegjës duhet të mbahen ata që ia kanë ndrydhur duart deputetëve në kohën kur u themelua. Ata hedhin akuza drejt qeverisë, por mendoj se janë pikërisht ata që duhet të japin përgjegjësi për veprimet që kanë bërë”, tha ajo.

Haxhiu mes tjerash tha se mirëpresin çdo diskutim lidhur me raportin e Dick Martyt teksa foli për rezolutën kundër pretendimeve të tij, të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë para dy dite.

Haxhiu, po ashtu, garantoi se janë duke u siguruar që të drejtat e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen në Hagë të mos shkelen.

“Sa i përket diskutimeve që lidhen me Raportin e Dick Marty-t, Qeveria e Republikës së Kosovë mirëpret çfarëdo diskutimi në raport me këtë, natyrisht që për ne është e rëndësishme që të drejtat e qytetarëve tanë që mbahen atje të respektohen – arsyeja pse po e them këtë është se kemi pasur shqetësime që të drejtat e tyre po shkelen. Unë kam shprehur shqetësimet e mija pas vizitës që kam pasur në Hagë sepse kemi pasur rastin që të takohemi edhe me Avokatin e Popullit dhe të gjitha pyetjet që ja kemi adresuar kanë thënë se janë konfidenciale. S’kanë dhënë përgjigje për to, ndonëse ne kemi pyetur vetëm për numrin e rasteve, a ka pasur ndonjë rast ku keni konsideruar që ka shkelje të të drejtave të njeriut – kanë qenë jashtëzakonisht të rezervuar dhe natyrisht që kam shprehur shqetësimin tim që një instancë që merret me të drejtat e njeriut po funksionon asisoj”, tha ministrja.

“Sa i përket mekanizmit mbikëqyrës pas vizitës që ka pasur Kryetari i Kuvendit dhe vizitës time në Hagë kjo çështje është në kuadër të diskutimeve institucionale dhe ende nuk mund të them se cila është zgjidhja për këtë. Mirëpo, ju garantoj që jemi në diskutime me institucionet në Republikën e Kosovës për ta adresuar këtë çështje sepse është e paprecedent që një institucion si Gjykata Speciale nuk ka asnjë mekanizëm tjetër që e mbikëqyr punën” u shpreh Haxhiu./Kk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme