Haxhiu shpalos punën e raportit 1 vjeçar të zbatimit të Strategjisë së Sundimit të Ligjit

11:45 | 4 Prill 2023
K.B

Ministria e Drejtësisë, sot ka organizuar takimin e radhës të Komitetit Drejtues të Strategjisë për Sundimin e Ligjit për të diskutuar rreth Raportit 1 vjeçar për zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit, Rregullat e Procedurës të strukturave institucionale të Strategjisë, si dhe Analizat e Politikave që i paraprijnë Planit të ri të Veprimit 2024 – 2026.

Para anëtarëve të këtij Komiteti, ministrja Albulena Haxhiu ka shpalosur punën dhe aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë të cilat janë ndërmarr me synim të reformimit të sistemit të drejtësisë në vend.

Marrë parasysh rezultatet e raportit 1 vjeçar për zbatimin e Strategjisë për Sundimit e Ligjit, ministrja Haxhiu u shpreh e bindur se kjo Strategji është një nga instrumentet kryesore që ndihmon këtë reformë dhe rrjedhimisht arritjen e rezultateve të rëndësishme, të cilat ne i synojmë.

Haxhiu falënderoi për bashkëpunimin e ofruar të gjitha institucionet e përfshira të cilat me nënshkrimin e këtij dokumenti janë zotuar për zbatimin e aktiviteteve tejet të rëndësishme për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Haxhiu bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë, ka miratuar një numër të madh të politikave, akteve ligjore, e nënligjore, të cilat janë të rëndësishme dhe shtrojnë rrugën drejt zbatimit të suksesshëm të reformës, ku njëherit ka arritur të zbatojë në mënyrë të plotë 43% të aktiviteteve përkatëse.

“Përkundër këtij suksesi të arritur, këto ndryshime ligjore do të përcjellën në të ardhmen edhe me masa zbatuese konkrete, ashtu që ligjet e politikat mos të mbesin vetëm në letër por ato të arrijnë tek qytetarët, pra që ata të përfitojnë nga një sistem i drejtësisë i reformuar – siç edhe e meritojnë” tha Haxhiu.

Ajo ka përmendur edhe progresin që është arritur në zhvillimin e agjencive në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, përfshirë mobilizimin që është bërë me odat e profesioneve të lira për të zbatuar detyrimet e tyre me qëllim që të sigurohet efikasitet dhe që puna e tyre ndërlidhet drejtpërdrejtë edhe me efikasitetin e gjyqësorit.

Në mbyllje të fjalës së saj, ministrja ka falënderuar edhe partnerët ndërkombëtar dhe pjesëtarët e shoqërisë civile për bashkëpunimin korrekt dhe shumë të dobishëm, duke luajtur një rol kyç në këtë reformë dhe në arritjen e rezultateve të dëshiruara./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme