Google ADS

Haxhiu për të pagjeturit: Do të bëjmë çdo përpjekje për zbardhjen e rastit të tyre

12:53 | 30 Gusht 2023
E.G

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kujtuar 1617 personat e zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Me anë të një postimi në Facebook, Haxhiu tha se kthimi i të zhdukurve është edhe thirrje nga zemrat e secilit por edhe vullnet politik për të adresuar dhe këmbngulur në kërkesën e domosdoshme për kthimin e tyre, përcjell Arbresh.info.

“Populli i Kosovës është edhe viktimë edhe dëshmitare e mizorive të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Kthimi i të zhdukurve është edhe thirrje nga zemrat e secilit por edhe vullnet politik për të adresuar dhe këmbngulur në kërkesën e domosdoshme për kthimin e tyre.”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, Serbia nuk ka refklektuar e as nuk ka ndryshuar dhe siç tha ajo, bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të qëndrojë duarkryq.

“Serbia nuk ka reflektuar as ndryshuar. Duke mos bashkëpunuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, po dëshmon që janë të njëjtit pra adresa është Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të qëndrojë duarkryq., tha ajo.

Tutje, ministrja Haxhiu tha se adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, është hap progresist drejt zbardhjes së drejtësisë për luftën në Kosovë.

“Instituti për krimet e kryera gjatë luftës do të kryej një rol aktiv. Kapacitetet për angazhim profesional i kemi shtuar me qëllim të hetimit dhe gjykimit të rasteve, qoftë edhe gjykimit në mungesë, përmes ndryshimit që lejon gjykimin në mungesë.”, shkroi Haxhiu.

Haxhiu tha se nuk do të ndalen në avancimin e sjelljes së drejtësisë për viktimat e luftës.

“Nuk do të ndalemi asnjëherë në avancimin e sjelljes së drejtësisë për viktimat e luftës.  Do të bëjmë çdo përpjekje për zbardhjen e rastit të tyre.”, tha e para e Drejtësisë.

“Të gjithëve na mungojnë. Kurrë nuk do t’i harrojmë.”, përfundoi Haxhiu./Arbresh.info.

 

Të ngjashme