Haxhiu: Nuk keni buxhet për Dhomën e Posaçme e po gjeni buxhet për t’ia rritur vetës pagat

10:56 | 28 Qershor 2018
Arbresh.info

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka buxhet për ta zbatuar Ligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme ndërkohë që gjen buxhet për t’ia rritur pagat vetës.

Haxhiu, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në seancën e jashtëzakonshme për shqyrtimin e këtij Projektligji se ka marrë informacione se ka implikime buxhetore që nuk janë të parapara as në shpenzimet afatmesme për këtë vit, raporton arbresh.info.

“Pse po na ngutini nëse nuk ka buxhet për ta zbatuar këtë ligj dhe në anën tjetër po gjeni buxhet për t’ia rritur pagat vetës. Drejtoria e Financave ka thënë se ka obligime buxhetore që nuk janë të parapara as në shpenzimet afatmesme”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj nuk ka nevojë për nguti pasi edhe ashtu në këtë Dhomë janë mbledhur 21 mijë e 300 lëndë që janë të pazgjidhura për vite të tëra.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka reaguar duke thënë se gjyqtarët vendorë që do të zëvendësojnë ata të huaj marrin paga nga buxheti i Kosovës dhe nuk ka nevojë për mjete shtesë për ta.

Sipas tij, vetëm me projektligjin për vitin 2019 parashihet të shtohet stafi mbështetës për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme