Haxhiu: Në Kosovë nuk duhet të ketë pagë nën 350 euro, ndryshe do mbesim pa punëtorë

11:03 | 5 Shkurt 2023
A Z

Nuk duhet të ketë pagë nën 350 euro as në sektorin publik e as në atë privat. Kështu thotë  deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu në një intervistë të shkurtër për portalin “Arbresh.info”, i cili e quan zhgënjyese qasjen e ekzekutivit në raport me sektorin privat.

Sipas tij, propozimi i Qeverisë që koeficienti i pagës të jetë 105, bie në kundërshtim me vendimin e vetë këtij institucioni për pagën minimale.

“Realisht do të duhej që ligji i pagave të mos bllokohej nga mazhoranca, të sillej në Kuvend, por jo me vlerën e cila është propozuar 264 euro, por që të jetë minimum 350 euro për sektorim. Nuk duhet të ketë pagë nën 350 euro në sektorin privat, por as në sektorin publik, ndonëse me ligjin e pagave në sektorin publik vlera më e ulët e koeficientit të mbetet 2, e që me 105 euro i bie të jetë 210 euro. Pra, edhe ky vendimi që është marrë nga Qeveria për vlerën e koeficientin 105, është në kundërshtim me vetë propozimin që Qeveria e kishte bërë muaj më parë me pagën minimal”, thotë ai.

Deputeti i PDK-së, thotë se një kujdes i veçantë duhet t’i shtohet edhe punëtorëve të sektorit privat, pasi sipas ti, shumë të rinj po e braktisin vendin si shkak i pagave të ulëta.

“Mendoj se është e nevojshme vërtetë të ketë një kujdes ndaj sektorit privat, sepse shumë të ri të zhgënjyer edhe me trajtimin e tyre me këtë sektor, por edhe mos mbështetjen e shtetit po e braktisin vendin”, shprehet Haxhiu.

Qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me sektorin privat, sipas tij, është tejet zhgënjyese dhe  nëse vazhdohet me këtë qasje ndaj sektorit privat, shumë shpejt Kosova do të detyrohet të marrë njerëz nga vende të pazhvilluara për të punuar këtu.

“Nuk e di! Vërtetë është zhgënjyes kjo qasja e qeverisë në raport me sektorin privat, edhe për trajtimin në tersi të këtij sektori, por në veçanti për trajtimin ose mos kujdesin e qeverisë në raport me sektorin privat është një shqetësim jashtëzakonisht i madh, edhe pse njerëz nga Kosova me eksperiencë të madhe të punës këtu, po ikin jashtë vendit dhe vërtetë do të jemi në një situatë ku ndoshta pas disa viteve do të detyrohemi me marrë njerëz nga vendet të pa zhvilluara për të punuar në Kosovës, sepse punëtorët tanë po ikin çdo ditë jashtë vendit në shtetet e Bashkimit Evropian”, pohon Haxhiu./ Arbresh.info/ Pleurat Salihu/

Intervista e plotë:

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme