Google ADS

Haxhiu: Legjislativi, rol vendimtar në krijimin e kornizës ligjore që sanksionon dhunën

20:55 | 9 Dhjetor 2024
E.H

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, mbajti sot konferencën me temën “Roli i legjislativit në adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, organizuar në kuadër të fushatës 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Familje, Kundër Dhunës Ndaj Grave dhe Kundër Dhunës me Bazë Gjinore.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kjo konferencë është një mundësi për të ndryshuar gjendjen dhe për të përçuar mesazh se dhuna në familje nuk është çështje private, por ajo duhet të adresohet në institucionet e Republikës së Kosovës, është vepër penale dhe dënohet deri në tre vjet burg, transmeton Arbresh.info.

Sipas Haxhiut kjo çështje nuk është vetëm një sfidë sociale morale, por edhe detyrim ligjor e institucional dhe siç tha ministrja e Drejtësisë, legjislativi e ka një rol vendimtar në këtë drejtim.

“Legjislativi ka një rol vendimtar në krijimin e kornizës ligjore që jo vetëm sanksionon dhunën, por edhe fuqizon mekanizmat për parandalimin e saj, ndërsa Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë ka bërë hapa të rëndësishëm përmes hartimit të ligjeve specifike dhe marrjen e një sërë masash që trajton dhunën ndaj grave dhe barazinë gjinore”, tha Haxhiu.

Me këtë rast ajo përmendi disa nga hapat që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë për të parandaluar dhunën në bazë gjinore, përderisa shtoi se përveç masave të ndërmarra, shoqëria jonë duhet të edukojë brezat e rinj mbi parimin e barazisë gjinore, respektit dhe solidaritetit.

Në panelin me temë “Roli i legjislativit në adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, nën moderimin e nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevci, për t’i dhënë inputet e tyre nga spektri politik e institucional dhe ai i shoqërisë civile, të ftuara ishin: Arjeta Fejza, deputete, nënkryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Adelina Berisha, menaxhere e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, si dhe Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeminstrit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme