Google ADS

Haxhiu: Kosova shqyrton modelin e Shqipërisë për procesin e vettingut

20:47 | 7 Tetor 2021
Përparim Bublaku

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se Kosova do të marrë eksperiencën shqiptare dhe rekomandimet e Komisionit te Venecias për zbatimin e vettingut në sistemin e drejtësisë.

“Grupet e punës brenda ministrisë gjatë kohës sa kanë hartuar koncept-dokumentin janë shërbyer edhe me praktikat në Republikën e Shqipërisë dhe ne kemi marrë mësimi nga ky proces i rëndësishëm për Shqipërinë, por po ashtu jemi shërbyer edhe me opinione të Komisionit të Venecias, të cilat janë lëshuar për Shqipërinë gjatë këtij procesi”, tha Haxhiu.

Ajo thekson se me vizitën në Shqipëri dhe takimet e bëra i kanë dhënë mjaftueshëm mësime dhe informacion rreth këtij procesi, të cilin e konsideroi si një nga prioritetet e qeverisë “Kurti”.

“Së pari është e rëndësishme të theksohet nevoja e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovë. Duke pasur përsysh prioritete tona në sundimin e ligjit, apo shtetin e së drejtës dhe vetingun në sistemin e drejtësisë, që është një mekanizëm që do themelohet për ta pastruar sistemin e drejtësisë nga ata të cilët janë jo profesionistë, kanë probleme me pasurinë dhe integritetin moral. Besoj se kam marrë mësimi gjatë kësaj vizite, që e kam zhvilluar ditët e fundit”, tha Haxhiu, për Euronews.al.

Haxhiu shprehet se bashke me vetingun do të kryhet dhe rekrutimi i njerëzve të drejtësisë, për të mos krijuar vakum në sistem.

“Ajo çfarë konsideroj që është problem, që duhet ta adresojmë me urgjencë, është çështja e mos mbetjes vakante të institucionet të rëndësishme të drejtësisë në Kosovë. Konsideroj që krahas procesit, apo krahas vetingut, ne të kemi edhe procesin e rekrutimit”, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës tha se për të bërë ndryshime kushtetuese duhet fillimisht të sigurohen 2/3 e votave të deputetëve shqiptarë, por dhe 2/3 e minoriteteve jo shumicë, që janë pjesë e Parlamentit të Kosovës. Pavarësisht këtyre pengesave, Haxhiu beson se reforma në drejtësi do të marrë mbështetjen e grupeve parlamentare.

“Në mbledhje e ardhshme të qeverisë ne do ta dërgojmë për miratim koncept-dokumentin për sistemin e drejtësisë, përkatësisht për vetingun në sistemi e drejtësisë , në këtë drejtim ne kemi parishikuar pesë opsione, por do ta ndikim opsionin e pestë, që për ta bërë vetingun nevojiten ndryshime kushtetuese. Jemi sfidën e parë, duke pasur parasysh që kushtetuta e Kosovës ndryshohet me 2/3 e deputetëve shqiptarë, por edhe 2/3 e deputetëve, që përfaqësojnë minoritetet jo shumicë në Kosovë. Konsideroj që është një sfidë e madhe, të cilën besoj se do ta tejkalojmë përmes takimeve që do t’i kemi me grupet parlamentare në Kosovë për të arritur konsensus për reformën në drejtësi”, shtoi ajo.

Ajo tha se Kosova po punon për të paditur Serbinë për gjenocid të kryer gjatë luftës, ndërsa shtoi se do të diskutojnë me Shqipërinë për këtë çështje.

“Duhet të bëhet padia, ne jemi në fazat fillestare. Do t’i shohim alternativat, do të komunikojmë dhe me Shqipërinë”, shtoi ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme