Haxhiu: Kosova nuk do t’i prishë kurrë marrëdhëniet me ShBA

18:25 | 10 Mars 2020
Arbresh.info

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se Kosova nuk do t’i prishë kurrë marrëdhëniet me SHBA-në dhe se kryeministri Albin Kurti, do të jetë faktor bashkëpunimi me aleatin strategjik të vendit.

Haxhiu ka shkruar në Facebook se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe partitë e bllokut PAN e kanë sjellë Kosovën në një situatë të palakmueshme diplomatike.

Ajo ka thënë se tarifën e ka vendosur pikërisht qeveria e PAN’it.

“Dialogun e pabarabartë në Bruksel, ku e normalizuan Serbinë dhe ia përmirësuan imazhin, e ka filluar pikërisht Hashim Thaçi. Tash Thaçi ia ka hapur derën Vuçiqit edhe në Shtëpinë e Bardhë. Edhe shkëmbimin e territoreve, edhe “zajednicën”, i ka sjellë në tryezë Thaçi, siç u mor vesh edhe nga marrëveshja sekrete që lidhi në 2013”, shton ajo.

Ministrja e Drejtësisë ka deklaruar se e vetmja kërkesë e Qeverisë në krye me Albin Kurtin është që Serbia të ndalë fushatat agresive dhe masat kundër Kosovës.

“Ndërsa qeveria e zhvillimit dhe e drejtësisë, drejtuar nga kryeministri Albin Kurti është e vetmja që ka prezantuar një plan për ta hequr tarifën, sipas kërkesave të ShBA-së. E vetmja kërkesë e qeverisë Kurti është që edhe Serbia t’i ndalë fushatat agresive dhe masat kundër Kosovës. Në vend që të bashkoheshin në mbështetje të kësaj kërkese dhe në mbështetje të Kosovës, Thaçi dhe PAN po e vazhdojnë politikën e njëjtë, duke pranuar se Kosova vlen më pak se Serbia, pra duke e forcuar Serbinë”, ka shkruar ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme