Haxhiu: Kemi filluar procesin e hartimit të koncept-dokumentit për Ligjin për Ndihmë Juridike Falas

17:59 | 31 Gusht 2023
E.G

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka marrë pjesë sot në takimin koordinues me Organizatat e Shoqërisë Civile që ofrojnë ndihmë juridike falas.

Takim ky i organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me USAID-in, në të cilin është diskutuar për koordinim dhe avancimin e Ndihmës Juridike Falas, shkruan Arbresh.info.

Në këtë takim, ministrja Haxhiu tha se me vullnet dhe punë të përbahskët mes MD-së dhe Organizatave të Shoqërisë Civile, mund të adresohen sfidat që paraqiten dhe të ndërtohet një sistem i fortë i ndihmës juridike falas që është në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Haxhiu tha se nga shtatori i vitit 2022, kur ANJF i është bashkuar Ministrisë së Drejtësisë, është punuar në krijimin e kushteve ligjore për këtë agjenci, duke hartuar akte nënligjore që krijojnë një bazë për koordinimin e ofruesve të ndihmës juridike falas dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.

“Kemi filluar procesin e hartimit të koncept-dokumentit për Ligjin për Ndihmë Juridike Falas, që synon përmirësimin e strukturës ligjore përmes një qasjeje të fokusuar në qytetarin”, tha ajo.

Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, në përputhje me rregulloren për partneritet me Organiztata joqeveritare së fundmi ka publikuar thirrjen publike, përmes së cilës janë ftuar të gjitha OJQ-të për partneritet me Agjencinë rreth ofrimit të Ndihmës Juridike Falas, me fokus të veçantë në ato komuna ku Agjencia nuk ka zyre rajonale dhe as mobile. Kjo thirrje do të jetë e hapur deri më 29 shtator./Arbresh.info

 

Të ngjashme