Haxhiu: Jetësimi i reformës në drejtësi, sfida më e madhe

14:20 | 14 Shkurt 2024
E.K

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën për media ka thënë se që nga momenti kur e ka marrë detyrën si ministre, sfida më madhe ka qenë jetësimi për reformë në drejtësi.

Haxhiu ka thënë se janë përballur me pengesat e vazhdueshme nga institucionet e drejtësisë.

Ajo ka folur edhe për procesin e vettingut, që ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

“Prej momentit kur kam pranuar detyrën, sfida më e madhe ka qenë jetësimi i reformës në drejtësi. Pra, në njërën anë kemi pasur mbështetje shumë të madhe të qytetarëve për të jetësuar reformën në drejtësi. E dini vetë ju sa kanë nevojë për drejtësi dhe sa shumë e duan atë. Sa shumë duan që Kosova të jetë shtet i së drejtës. Kemi pasur vullnetin tonë të hekurt për të vazhduar sipas zotimeve që kemi dhënë para qytetarëve të Republikës së Kosovës, por në anën tjetër jemi përballur me pengesat e vazhdueshme nga institucionet e drejtësisë sepse edhe përkundër faktit se tani kemi aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese për vettingun në sistemin e drejtësisë, ende institucionet e drejtësisë konsiderojnë që nuk ka nevojë Kosova për një vetting që do të verifikonte integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Haxhiu.

Ajo tutje theksoi se nuk e kanë pasur mbështetjen për vettingun as nga partnerët. “Ju e dini që vetëm Mbretëria e Bashkuar na kishte mbështetur publikisht në vazhdimësi. Por tani besoj që situata është më mirë sepse falë vullnetit tonë tani të gjithë thërrasin që amandamentet kushtetuese të amandamentohen sipas asaj qysh Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar”, shtoi Haxhiu.

Si sfida të tjera për drejtësinë, ajo ka përmendur edhe Kodin Civil dhe Strategjinë për Drejtësinë Tranzicionale./Arbresh.info

Të ngjashme