Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot ka marrë pjesë në Tryezën e diskutimit mbi Koordinimin Institucional në Luftimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, organizuar nga Ambasada Amerikane dhe Qeveria e Kosovës.
Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë kësaj tryeze u prezantuan rekomandimet e Raportit të Departamentit të Shtetit Amerikan për Trafikimin me Njerëz dhe Plani i Punës për Kosovën për 2023-2024, përcjell Arbresh.info.
Në fjalën e saj, Haxhiu foli për rritjen e burimeve për strehimoret e drejtuara nga OJQ-të, shërbimet sociale dhe mbrojtësit e viktimave si dhe mbështetjen e Qeverisë për shërbimet gjithëpërfshirëse të trajnimit profesional dhe ri-integrimit të viktimave.
Tutje ministrja Haxhiu tha se prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë mbetet mbështetja e Strehimoreve, duke treguar kështu që gjatë vitit 2023 janë ndarë rreth 900 mijë euro nga Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë për financimin e tyre.
Ministrja Haxhiu tha se në kuadër të reformës në shërbime sociale, Ministria e Drejtësisë ka hartuar Projektligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare i cili parasheh risi dhe reformë rrënjësor në shërbimet sociale dhe familjare, saktëson kompetencat institucionale përgjegjëse në nivel komunal e qendror si dhe parasheh rritjen e punonjësve social./Arbresh.info./