Nga Elvinë Sefiu
Nuk di çfarë të ndjejë njeriu për një figurë si puna e Sadri Ramabajës, për “profecitë” që nuk parasheh asnjë legjislacion, apo çfarëdo rregullimi tjetër institucional politik, shoqëror e fetar, dhe pranon se nuk është islamofob, sepse e ka me “t’nime” edhe termin.
Është e pamundur të mos shkruaj hapur për këtë që ka shkaktuar vetëm një mendësi si puna e tij, që reflekton më shumë se një vetëdije dhe informacion gjithëpërfshirës së pari për historinë botërore në përgjithësi, dhe shqiptare në veçanti.
Edhe pasi etiketoi myslimanët si “haxhiqamilistë” për të disatën herë, ai vazhdon me guximin e një injoranti të vazhdojë të fyejë myslimanët për shumë arsye që do të shtjellohen në vazhdim.
Fillimisht dua të sqaroj që Haxhi Qamili përveç një figure me të cilën tallet mbarë shqiptaria, nuk ka qenë aq i rëndësishëm në periudhën e tij, e për të cilën Ramabaja akuzon edhe vetë subjektin e tij politik se nuk kanë informacionin e duhur për këtë haxhiun.
Duket se nuk ka informacionin e duhur për të, dhe e cilëson si “një prej protagonistëve kryesor të regresit shqiptar pas pavarësisë së Shqipërisë dhe prijës ekstravagant i regresit shqiptar”.
Nëse e kanë fuqinë e tij këta të ashtuquajtur “haxhiqamilistët” modern, nuk duhet t’i marrim si kërcënim.
Pse është “haxhiqamilizëm” një iftar në qytetin e Kamenicës, e nuk na qenka në Prishtinë, Gjilan e komuna të tjera, të cilat kanë shtruar iftare varësisht prej mundësive në qytet, restorante, apo ju ka penguar madhështia e shëtitores së komunës prej nga vini, e që dyshoj se do të mirëpriteni atje pas kësaj që keni bërë.
Ne ndjejmë keqardhje për ty, që nuk mund të kuptoni as të ndjerit e fuqisë emocionale që ngjallë t’i përkisni një feje cilado qoftë ajo, dhe në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë me islamin politik të cilit i thirreni vazhdimisht, por asnjëherë nuk na e treguat se për çfarë islami po flisni e ne nuk po e kuptuakam.
Si mund të marrësh guximin që shumicën myslimane ta fyeni si “të paditur”, që uroj të jetë pishman për përkrahjen që vazhdon t’ju japë një pjesë e tyre? “Padijeninë” thoni se e ka nga fanatizmi politik. Pse çfarë dije na paskeni ju, që të ju mbështesin gjithë këta “të paditur”?
Për më tepër, “padijeninë” e tyre tentoni ta lidhni me siç e quani “tifozërinë erdoganiste”, gjë të cilën as ju nuk e besoni, por diçka duhet të thoni kur “kryqëzoheni” me të drejtë nga “të padijshmit”.
Si merr guximin të flasësh për islamin politik, kur keni mungesë totale të islamit të mirëfilltë si religjion?
Tradicionalisht janë shtruar iftare, pse duhet të jetë problematike për juve mënyra se si janë shtruar dhe pse kaq i vonshëm ky reagim, apo ndoshta donit të përfitonit nga situata se ju pengonte mungesa e popullaritetit në mesin e atyre që ju i quani “të paditur” dhe duhej disi të merrej me ty, i madh e i vogël.
Ne jemi shtet evropian dhe thoni se Lëvizja Vetëvendosje e mbron të drejtën e besimit në fe. Mirë që e mbron Vetëvendosje se sa për juve, shihet hapur se nga na vjen rreziku. Nga njerëz si ju, që interpretojnë situata që nuk kanë lidhje me atë që ju pretendoni.
Së pari, ngatërroni fillimet e fashizmit duke i konsideruar si gjermane e të informoj se ato janë italiane, dhe për më tepër e ngatërroni totalisht konceptin.
Në formën siç ju po bëni thirrje për interesa kombëtare para atyre individuale çon drejt një ideologjie fashiste. Pasi nëse nuk e keni ditur mësojeni që fashizmi është një ideologji politike kolektiviste dhe autoritare që thekson rëndësinë e interesit kombëtar ndaj të drejtave individuale.
Vërehet se e keni mungesën e informacionit për këtë, pasi dy herë radhazi e ngatërruat termin fashist dhe atij nazist, sidoqoftë pas kësaj besoj se do të konsultoni literaturë për këtë çështje, sikurse të kisha rekomanduar të lexoni më tepër për figurën e Haxhi Qamilit, dhe do të qeshësh pastaj, pasi për atë që më tepër ka gojëdhëna se sa fakte.
Iftarin e lidhni me “Vëllazërinë myslimane” në Egjipt, e që për nga koncepti është huqje totale, pasi nuk ka qenë organizim politik, e aq më pak për të përcjellur mesazhe apo interesa politike.
Abnormale për ju na qenka respektimi i ritualeve fetare, tash po e përgjithësojmë sepse secili religjion në Kosovë kremton festat, dhe nuk e di nëse do të keni ndonjë qëndrim rreth festës së “Vidovdanit” sot kur është paralajmëruar se rreth 200 serbë vijnë ekskluzivisht nga Serbia për të festuar, e mos të flasim për numrin e serbëve të Kosovës që i bashkohen kësaj kremte.
Cila festë na qenka më politike se kur po shtroj argumentet matematika edhe filozofia po më dalin ndryshe nga ajo që ju po proklamoni?
Shih, po të penguaka edhe falja e namazit të Bajramit të besimtarëve myslimanë edhe në sheshin “Skenderbej”. Ohh ju katër milionë shqiptarë, e shumica prej tyre myslimanë, të Kosovës dhe Shqipërisë, dëgjojeni Ramabajën se mos po rrezikohemi e nuk po e ditkemi, pavarësisht nivelit intelektual që kemi!
Nuk jeni religjioz, dhe e keni fenë të dorës, dytë e tretë, qysh edhe personalisht jeni deklaruar, por uroj të reflektoni, e mos të na shpërfaqni më shumë defektet e tua profesionale.
“Shkenca pa fe është e çalë, feja pa shkencë është e verbër,” këshillon Ajnshtajni, pasi po pretendoni se shkencës duhet t’i lihet hapësirë.
Ju mburreni që keni qenë gazetar, veç të them sinqerisht më vie turp nga ju dhe “profesionistë” si puna e juaj. Po shihet se si keni indoktrinuar shoqërinë me gazetarinë tuaj, për të cilën po vajtoni sot, kur dihet roli i medies në krijimin e opinionit publik.
Thoni që më të formuarit brenda Vetëvendosjes janë ateistë, shumë respekt për secilin, por ngushëllohemi me faktin që nuk janë si ju, dhe e kanë të qartë orientimin e tyre religjioz, dhe nuk janë si ty, i papërcaktuar.
Ke jetuar 14 vjet në Zvicër, thoni se nuk gjen diskutime siç i quani ju “banale” si kjo që ndodhë në Kosovë. Më ka rastis që për festa të jem atje, dhe për gjithë këto vjet e keni parë se si festohen Pashkët katolike.
Jam myslimane dhe pa kurrfarë gjykimi kam qenë e ftuar në kremtat e tyre për të shënuar festën, të cilat i bëjnë po aq të hatashme sa këto organizimet e myslimanëve për festat e tyre. Dallimi i vetëm se ata janë shumicë katolike, e ne jemi shumicë myslimane. Kjo është ajo që sot po promovon shoqëria shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, dhe nuk ka fare lidhje me atë që ju e cilësoni si “politike”.
Ramabaja po thotë se distancimi i Vetëvendosjes ka qenë i diferencuar, le të ma shpjegojë dikush si mund të ndodhë, sepse ose distancohesh ose nuk distancohesh, dhe po besoj që funksiononi si tërësi dhe nuk keni fraksione. Apo po paralajmëroni të dytën?!
(Autorja është kryeredaktore në arbresh.info)
Infantino: Kosova jorastësisht në Top 100 të Ranglistës së F...
Sulm me thikë në një shkollë të Zagrebit, vdes një 7 vjeçar
Aksident mes dy veturave në Sllatinë, s’ka të lënduar
Rivarrosen tri viktima të luftës që ishin në listën e person...
Gresa e nervozuar me Xuxin, e kundërshton për gjithçka
ASK: Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 723.12 mijë ton