Haskuka tregon arsyet e prishjes së koalicionit VV-LDK në Prizren

23:27 | 5 Qershor 2020
Arbresh.info

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, është deklaruar lidhur me dhënien fund të koalicionit mes partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në komunën që ai udhëheq.

Haskuka ka thënë se pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë qendrore VV-LDK, dhe zhvillimeve të fundit politike, e ka të pamundur vazhdimin e koalicionit me LDK’në në Komunën e Prizrenit.

” Mendoj që koalicionet duhet të bazohen në besimin e ndërsjellë dhe në këtë aspekt pas zhvillimeve të fundit nuk ka mbetur hapësirë për të vazhduar rrugëtimin tonë”, ka shkruar Haskuka në Facebook.

”Të nderuar qytetarë,

Dua t’ju njoftoj që si pasojë e zhvillimeve të fundit, mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë LVV-LDK dhe krijimit të një qeverie e cila është në kundërshtim me vullnetin demokratik të shprehur më 6 tetor, unë e kam të pamundur vazhdimin e koalicionit në Komunën e Prizrenit. Pas zhvillimeve në Asamblenë Komunale në shkurt të këtij viti, unë jam munduar që të gjej mënyra për të vazhduar koalicionin, duke besuar që rruga në shtetndërtimin e Kosovës dhe krijimin e institucioneve përgjegjëse që bazohen në profesionalizëm dhe promovojnë demokracinë dhe zhvillimin, mund të bëhet vetëm me një bashkëpunim të sinqertë ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por besimi dhe pritjet e mia si shumë qytetarë të Kosovës nuk u realizuan. Mendoj që koalicionet duhet të bazohen në besimin e ndërsjellë dhe në këtë aspekt pas zhvillimeve të fundit nuk ka mbetur hapësirë për të vazhduar rrugëtimin tonë. Dua të falënderoj drejtorët komunalë nga LDK-ja dhe asamblistët e LDK-së për bashkëpunimin e deritanishëm dhe punën në përmbushjen e programit qeverisës në nivelin lokal. Shpresoj që forcat demokratike brenda LDK-së që nuk janë të shantazhuara, do të vazhdojnë përpjekjet e tyre që LDK-në ta kthejnë në një parti ku vendos demokracia, e jo një grusht njerëzisht që ndoshta nga interesat e tyre apo nga shantazhet janë të lidhur me fatin e një Presidenti, që për të shpëtuar veten po e katandisë Kosovën me Listën Serbe. Mbetshi me shëndet!”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme