Google ADS

Haskuka: Në Prizren na pret një punë e madhe

08:34 | 9 Janar 2018
M. A.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes një postimi në facebook ka njoftuar se javën e ardhshme do të konstituohet kryesia e asamblesë së komunës në Prizren, shkruan arbresh.info

Ai ka thënë se Prizrenin e ka gjetur me probleme të grumbulluara për dekada.

Për më shumë mund të lexoni postimin e tij te plotë:

Të nderuar qytetarë të komunës së Prizrenit,

javën e ardhme do të konstituohet kryesia e asamblesë së komunës si dhe do t’i emëroj drejtorët përgjegjës, prej të cilëve pres angazhim maksimal në mënyrë që t’i zgjidhim problemet emergjente të qytetarëve.

Mbas analizës së parë të gjendjes nëpër dikastere komunale, kemi konstatuar se gjendja aktuale nuk është aspak e mirë. Përtej njohurive tona, kemi trashëguar një komunë me probleme të grumbulluara për dekada. Për ilustrim, nga dy zarfet e para që i hapa si kryetar e para ishte padi ndaj komunës për mosrespektim të kontratës së nënshkruar, ndërsa zarfi tjetër ishte informata që një biznes kishte dërguar komunën tek përmbaruesi ngase komuna nuk kishte paguar për shërbimet që i kishte marrë nga kompania.

Në takim me përfaqësuesen e vetme ligjore e cila nëpër gjykatat e Kosovës ishte duke mbrojtur interesin e publik të komunës, u informova që sot janë rreth 4000 padi nga qytetarë, kompani të ndryshme private apo agjenci. Kjo do të thotë që në 16 vitet e fundit çdo ditë pune është ngritur nga një padi nëpër gjykata kundër Komunës së Prizrenit.

Një analizë e shpejtë e këtyre padive tregon që vlera e tyre mund të shkojë mbi 50 milionë euro, këto eventualisht do të paguhen prej buxhetit të Komunës së Prizrenit dhe kjo shumë është më e lartë sesa buxheti vjetor i Komunës së Prizrenit. Përkthyer në vepra, zyrtarët e qeverisë së kaluar, në 16 vite të fundit, me kontrata të dëmshme, mospunë dhe me shkelje ligjore çdo ditë pune kanë dëmtuar Komunën me rreth 12.000 Euro.
Të jem i sinqertë, për fat të keq këto nuk janë të vetmet dëme që i janë shkaktuar komunës së Prizrenit. Ditëve në vijim do t’i publikojmë edhe problemet tjera të shkaktuara nga keqpërdorimet apo keq menaxhimi i qeverisë së kaluar.

Por, përkundër kësaj situate trishtuese që e kemi trashëguar, kërkoj nga ju që të mos dëshpëroheni. Për ta tejkaluar këtë situatë, na duhet angazhim i madh i gjithsecilit prej nesh dhe angazhimi juaj qytetar. Bashkërisht mund ta tejkalojmë këtë gjendje.

Duke marrë parasysh të gjitha këto, javën e ardhshme do të formohet qeveria e re e përbëre nga një koalicion i gjerë i subjekteve, ngase për ndryshime të mëdha nevojitet bashkim dhe angazhim i madh. Në koalicion do të mundohem të përfshij të gjithë ata që duan ndryshime rënjësore për të kthyer komunën banorëve të Prizrenit.

Qytetarët me plot arsye kanë pritje të mëdha nga qeverisja e re, prandaj unë do të angazhohem me tërë qenien time për ndryshime të domosdoshme dhe të njëjtën gjë e kërkoj nga të gjithë bashkëpunëtorët e zgjedhur. Për më tepër, më nevojitet ndihma e gjithsecilit prej jush, në mënyrë që t’i realizojmë të gjitha zotimet e premtuara. Prizreni njihet si “ma i bukuri vend”, ngase për 2000 vjet ka ditur t’i tejkalojë problemet e veta.
Nëse punojmë bashkë ka shpresë!
Na e priftë e mbara!

Me nderime,
Mytaher Haskuka
kryetar i Prizrenit

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme