Google ADS

Hashim Thaçi, mysafiri i kontestuar në Berlin

14:11 | 9 Maj 2018
Arbresh.info

Hashim Thaçi sot do ta takojë kancelaren Angela Merkel, për herë të parë si President i Kosovës. Mediat gjermane shkruajnë se ky nuk do të jetë një takim i thjeshtë, ndër të tjera për shkak të së kaluarës së Thaçit.

Gjermania për kosovarët është shteti që e ndihmon më së shumti Kosovën, politikisht, ushtarakisht dhe financiarisht, pas SHBA-së.

Berlini është njëri ndër sponsorët kryesorë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kancelarja gjermane për më shumë se një dekadë e njeh personalisht Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, por ai deri më tani ka qenë vetëm një herë në takim te kancelarja, si pjesë e delegacionit të kryesuar nga Isa Mustafa.

Thaçi, shkruan Deutsche Welle, për më shumë se 20 vjet është politikani më i rëndësishëm në Kosovë. Ky 50-vjeçar, edhe si student ka qenë politikisht aktiv, emri i tij ndërkombëtarisht ishte dëgjuar për herë të parë në vitin 1999, kur si përfaqësues politik i UÇK-së që bashkë me Ibrahim Rugovën e kishte kryesuar delegacionin kosovar në bisedimet paqësore me RFJ-në në Rambouillet.

Ato përfunduan me nënshkrim të palës kosovare, por jo edhe të delegacionit jugosllav, duke i hapur kështu rrugë bombardimeve të NATO-s.

Sipas DW, Thaçi shihet si hero në Kosovë, por ndërkohë është rritur pakënaqësia e popullatës ndaj tij. Ai nuk ka arritur ta anëtarësojë Kosovën në OKB, në UNESCO ose INTERPOL.

Nën lidershipin e tij, Kosova është bërë vendi më i varfër në Evropë, me mbi 30 për qind papunësi.

Në Qeverinë aktuale, më së paku 5 ministra janë të dyshuar për korrupsion ndërkohë që vendi vuan edhe nga krimi i organizuar. Kritikët e Thaçit thonë se ai është kumbara i të gjitha makinacioneve ilegale në Kosovë.

DW ka rikthyer akuzat e BND-së të vitit 2005 ndaj Thaçit, ku ai përshkruhet si një nga figurat kyçe për ndërlidhjen e krimit dhe politikës.

BND e lidh Thaçin me krimin e organizuar në Çeki dhe Shqipëri dhe me kontrabandën me drogë dhe armë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme