Google ADS

Harris letër komunitetit shqiptar në SHBA: Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për Kosovën

18:52 | 3 Nëntor 2024
E.G

Kandidatja demokrate Kamala Harris u është drejtuar me një letër të hapur komunitetit shqiptar që jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa të martën mbahen edhe zgjedhjet presidenciale.

Duke vlerësuar kontributin e veçantë të komunitetit shqiptar në SHBA, Harris shkruan në letrën e saj se ata kanë treguar angazhim të madh ndaj vlerave të familjes dhe frymës së tyre sipërmarrëse.

“Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë kontribute të paçmueshme për kombin tonë për breza të tërë, duke sjellë me vete një angazhim të madh ndaj familjes, komunitetit si dhe në ndjekje të lirisë

Me qindra mijëra shqiptaro-amerikanë që jetojnë në gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara kanë treguar qëndrueshmëri, gjë e cila vijon të na frymëzojë të gjithëve.

Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë kontribut të madh në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me frymën e tyre sipërmarrëse, vlerat e forta familjare dhe një përkushtim të thellë ndaj arsimit dhe angazhimit qytetar”, shkruan Harris.

Ajo thekson më tej se shqiptarët e përkujtojnë vazhdimisht rolin që luajti SHBA-ja në Konferencën e Paqes në Paris për të mbrojtur pavarësinë e Shqipërisë.

Harris vë në dukje se SHBA dhe Shqipëria kanë një partneritet të fortë mes tyre, gjë e cila sipas saj është reflektuar edhe në NATO. Ndërsa shton se SHBA qëndron krah Kosovës dhe sovranitetit të saj.

“Shqipëria është një aleate e palëkundur e NATO-s dhe i jam mirënjohëse Shqipërisë për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurisë së OKB-së gjatë atyre muajve pasi Rusia nisi pushtimin brutal të Ukrainës.

Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr aleatët dhe partnerët e tyre evropianë që të mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin Kosovën demokratike dhe multietnike, plotësisht e integruar në bashkësinë ndërkombëtare”, shkruan më tej kandidatja demokrate për zgjedhje presidenciale, Kamal Harris, e cila të martën do të përballet me kandidatin republikan Donald Trump, në betejën se kush do të drejtojë për 4 vitet e ardhshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Letra e plotë:

Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë kontribute të paçmueshme për kombin tonë për breza të tërë, duke sjellë me vete një angazhim të madh ndaj familjes, komunitetit si dhe në ndjekje të lirisë

Me qindra mijëra shqiptaro-amerikanë që jetojnë në gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara kanë treguar qëndrueshmëri, gjë e cila vijon të na frymëzojë të gjithëve.

Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë kontribut të madh në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me frymën e tyre sipërmarrëse, vlerat e forta familjare dhe një përkushtim të thellë ndaj arsimit dhe angazhimit qytetar.

Nga pronarët e bizneseve të vogla te profesionistët e mjekësisë, ligjit dhe shërbimit publik, shqiptaro-amerikanë kanë luajtur rol kyç në nxitjen e ekonomive lokale dhe forcimin e strukturës sociale të qyteteve dhe qytezave të panumërta në të gjithë vendin.

Për më shumë se një shekull – duke u shtrirë pas, në Konferencën e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore – amerikanët dhe shqiptarët kanë pasur një lidhje të veçantë.

Shqiptarët vijojnë edhe sot ta nënvizojnë se ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës që u ngritën në këmbë në atë moment vendimtar për pavarësinë e Shqipërisë.

Dua të afirmoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Shqipëria është një aleate e palëkundur e NATO-s dhe i jam mirënjohëse Shqipërisë për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurisë së OKB-së gjatë atyre muajve pasi Rusia nisi pushtimin brutal të Ukrainës.

Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr aleatët dhe partnerët e tyre evropianë që të mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin Kosovën demokratike dhe multietnike, plotësisht e integruar në bashkësinë ndërkombëtare.

I kuptoj sfidat unike me të cilat përballet komuniteti shqiptaro-amerikan dhe jam e përkushtuar ndaj politikave që ngrenë lart komunitetin shqiptaro-amerikan, që përfshin luftën për një ekonomi të mundësive dhe mbrojtjen e të drejtave civile për të gjithë.

Pjesëmarrja e shqiptarëve në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë.

Së bashku, mund të formojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta.

Faleminderit për gjithçka që kontribuoni për këtë vend të madh!

Të ngjashme