Shqipëria e ruan harmoninë fetare si një aset solid të shoqërisë. Për këtë diskutuan në Berlin përfaqësues të komuniteteve fetare nga Shqipëria.
“Komunitetet fetare në Shqipëri: një model frymëzues i harmonisë fetare në kohët e ekstremizmit fetar”, ishte tema e një forumi zhvilluar në Berlin, me nismën e Ambasadës së Shqipërisë në Gjermani dhe me mbështetjen e organizatës së ndihmës Nehemiah Gateway.
Ambasadori i Shqipërisë në Berlin, Artur Kuko, nënvizoi se bashkëjetesa paqësore e religjioneve duhet të pranohet si një vlerë e rëndësishme evropiane që Shqipëria mund ta ofrojë me krenari në BE.
“Për fëmijët tanë është e natyrshme të rriten duke dëgjuar nga dritaret e shtëpive si lutjen e myslimanëve nga xhamia, ashtu edhe jehonën e kambanave nga kisha”, tha ai.
“Sot më shumë se kurrë harmonia fetare nuk mund të jetë vetëm një dëshirë, por ajo është domosdoshmëri. Bota ka nevojë për dialog e harmoni ndërfetare, pikërisht në kohën kur përmes teknologjive të reja po përhapen edhe keqinterpretimet e besimit dhe po nxitet ekstremizmi”, u shpreh Gazmend Aga, nënkryetar i komunitetit mysliman në Shqipëri.
Aga nënvizoi se në dialog me drejtuesit e besimeve të tjera në Shqipëri synohet që të nxirren të pah vlerat e përbashkëta, në frymën e traditës shekullore të mirëkuptimit që kanë shërbyer gjithmonë mes shqiptarëve si faktor stabilizues dhe madje kanë kontribuar në ruajtjen e identitetit kombëtar përtej besimit.
Në të njëjtën frymë u shprehën edhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare, peshkopi Andon (Merdani), mitropoit i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit. Ndërkaq, Dom Gjergj Meta, vikar i përgjithshëm i dioqezës së Tiranës e Durrësit, tërhoqi vëmendjen për domosdoshmërinë që të punohet dhe të mbrohet kjo vlerë e harmonisë edhe në të ardhmen.
“Sfida e sotme në botën e kërcënuar prej ekstremizmit dhe terrorizmit ndërkombëtar kërkon që ngjarjet të analizohen në kontekstin e kohës, e aq më tepër rëndësi fiton shpirti i dialogut dhe harmonia fetare, siç ekziston tradicionalisht në Shqipëri”, thotë Edmon Brahimaj – Baba Mondi, kryegjyshi i komuniteti të bektashinjve në Shqipëri.
“Harmonia fetare është një nga shtyllat që mban Shqipërinë dhe një model për Evropën”, tha presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, i cili mori pjesë në këtë aktivitet në Berlin. “Ky është modeli më i mirë që Shqipëria mund t’i japë Evropës sot”.
Duke e vlerësuar dialogun ndërfetar si një tematikë shumë sensisitive të kohës dhe shembullin e Shqipërisë si unik, koordinatori për çështjet fetare në Parlamentin gjerman, Fearghas O’Bearami, theksoi se një aktivitet i ngjashëm duhet të zhvillohet edhe Bruksel, për të prezantuar këtë vlerë evropiane të Shqipërisë. /DW/
Hamza u bënë thirrje mërgimtarëve në Gjermani që të regjistr...
Të premten bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Kosovës
Haradinaj: Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me de...
Në BE s’ka pajtim për hapjen e kapitujve për anëtarësim me S...
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...