Haradinaj: Vendet evropiane po humbin shumë para për Kosovën e Serbinë

11:08 | 27 Shkurt 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se Evropa po humb shumë para për shkak të Serbisë dhe Kosovës, duke i mbajtur këto dy shtete të papërcaktuara. Kjo sipas kreut të ekzekutivit kosovar është e dëmshme për çdo komb evropian sepse siç shprehet ai, nëse ata e mbajnë një rajon të dobët, ata e mbajnë veten të dobët po ashtu.

Haradinaj, në një intervistë për AlJazeera, thekson se Kosova ka humbur dy dekada që nga lufta.

“… dhe kjo është në Evropë, të gjitha ato investime, ushtarake, politike, financiare, të gjitha ato angazhime. Është shumë e paarsyeshme ta mbash atë ende si një biznes të papërfunduar”, shkruan gazeta Express.

Ai flet edhe për marrëdhëniet serbo-shqiptare. Thotë se është shkuar shumë larg në pajtimin serbo-shqiptar.

“Ne kemi arritur shumë larg në pajtimin tonë, zëvendëskryeministri im është serb nga Kosova jugore, dy ministra janë nga veriu i Kosovës (i dominuar nga serbët). Unë jam duke punuar me çdo kryetar bashkie … dhe flas me të gjithë deputetët nga veriu”, shprehet ai.

Kryeministri thotë se është shqetësuese papunësia e të rinjve në Kosovë dhe se popullsia e re është vërtetë e përgatitur të përballet me atë që ekonomia e tregut mund t’u ofrojë.

“Kjo na shqetëson, por është edhe potenciali ynë: popullsia e re ka një frymë sipërmarrëse dhe ata janë vërtet të përgatitur të përballen me atë që ekonomia e tregut mund t’u ofrojë atyre. Detyra jonë është të paraqesim një ofertë, një ofertë biznesi për çdo qytetar të vendit tonë, për çdo sipërmarrës në vendin tonë, por edhe për investitorët e huaj. Kjo fillon me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit “, ka përfunduar ai./Express/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme