Haradinaj uron 28 Nëntorin: Në secilën rrethanë, mbijetuam duke ruajtur identitetin, qëllimin e orientimin

09:50 | 28 Nëntor 2023
E.G

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj u ka uruar 28 Nëntorin të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë.

Me anë të një postimi në Facebook, shqiptarët prej dekadash e kanë pasur të qartë qëllimin dhe orientimin e tyre, shkruan Arbresh.info.

“Në secilën rrethanë e pavarësisht stuhive, mbijetuam duke ruajtur identitetin, qëllimin e orientimin.”, u shpreh ai.

Tutje, Haradinaj tha se janë të rrallë popujt të cilët e kanë kalendarin aq të pasur me data e ngjarje historike.

“Janë të rrallë popujt të cilët e kanë kalendarin aq të pasur me data e ngjarje historike si ne shqiptarët, prej epokës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, epokë e cila kishte trasuar rrugën e të gjitha përpjekjeve të mëpastajme, e veçmas nëntori që në vete ngërthen ngjarjet më të rëndësishme, si ajo e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”, thotë ai.

“Përjetësisht përulemi para të rënëve për liri të të gjitha kohërave.”, tha Haradinaj.

Ndër të tjera, ai shprehu nderime për ushtarët dhe oficerët që i shërbejnë atdheut.

“Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari. Nderime sot, për ushtarët dhe oficerët që i shërbejnë Atdheut.”, përfundoi ai./Arbresh.info/

Të ngjashme