Google ADS

Haradinaj: Suharekën e kemi shndërruar në qendër të zhvillimit ekonomik, është koha që këtë ta shtrijmë në mbarë vendin

19:36 | 5 Dhjetor 2024
Q L

Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Suhareka.

Haradinaj ka thënë se pa mbështetjen e qeverisë, Suhareka është shndërruar në qendër të zhvillimit ekonomik.

“Energjia e Suharekës sot ishte dëshmi e fuqisë transformuese që vjen nga puna dhe përkushtimi.

Nën udhëheqjen e Bali Muharremajt, kjo pa mbështetjen e qeverisë, është shndërruar në qendër të zhvillimit ekonomik, duke u bërë shembull i asaj që mund të arrijmë kur kemi vizion të qartë dhe bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka prezantuar Bali Muharremaj, Albana Bytyqi, Kymete Bajraktari, Driton Maliqaj dhe Mensur Selimaj, kandidatë pët deputetë.

“Sot, pesë kandidatët për Kuvendin e Kosovës nga Suhareka – Bali Muharremaj, Albana Bytyqi, Kymete Bajraktari, Driton Maliqaj dhe Mensur Selimaj – përfaqësojnë zotimin tonë për zhvillim të mëtejshëm. Ujëmbledhësi i Dragaqinës, përfundimi i stadiumit dhe ndërtimi i ngrohtores qendrore do të sigurojnë infrastrukturë moderne dhe kushte më të mira jetese për qytetarët e Suharekës”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se Suhareka ka treguar se transformimi është i mundur – tani është koha që këtë sukses ta shtrijmë në mbarë vendin.

“Me këta përfaqësues në Kuvend do të realizojmë programin tonë, ku përfshihen edhe rritjet e pagave dhe pensioneve. Në bashkëveprim me SHBA-të dhe aleatët tanë strategjikë, do të sigurojmë anëtarësimin direkt në NATO, do të forcojmë ushtrinë dhe do të garantojmë sundimin e ligjit. Suhareka ka treguar se transformimi është i mundur – tani është koha që këtë sukses ta shtrijmë në mbarë vendin duke e bërë gjithë Kosovën fituese”, ka përfunduar Haradinaj./Arbresh.info/

Të ngjashme