Google ADS

Haradinaj-Stublla: Nga Gjermania ka sinjale pozitive për liberalizimin e vizave

00:40 | 23 Gusht 2020
Trina Galanxhi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se nga Gjermania ka marrë mbështetje edhe për liberalizimin e vizave.

“Lidershipi i Gjermanisë si aleatja më e madhe e Kosovës në Evropë, veçanërisht tani kur kryeson Presidencën e Këshillit Evropian, është qenësor në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Fitova bindjen se ka sinjale pozitive në drejtim të një epilogu të suksesshëm të këtij procesi”, është shprehur ajo.

Ajo e ka bërë këtë deklaratë në Berlin, pas takimit me Shefin e Departamentit për Evropën Juglindore në Zyrën e Kancelares Gjermane, Matthias Lüttenberg, dhe me Shefen e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Christiane Hullmann.

Haradinaj – Stublla ka thënë se në këtë takim është diskutuar edhe për dialogun Kosovë- Serbi, ku ka theksuar se Kosova është e palëkundur që dialogu të përfundojë me marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke të dy shteteve, në kufijtë ekzistues.

“Theksova se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues është qëndrim unik i Republikës së Kosovës. Rrëshqitja në dialog me tema teknike, dhe pa kornizë kohore, është kundërproduktive, dhe besojmë fuqishëm që Gjermania do të luaj rolin e saj vendimtar njësoj sikur në kohën kur rrëzoi idetë e rrezikshme të lëvizjes së kufijve në Ballkan”, është shprehur kryediplomatja Haradinaj-Stublla./illyria/

 

Të ngjashme