Google ADS

Haradinaj-Stublla në takim me Çavusoglun: Turqia mbështetë një Kosovë të fortë dhe anëtare të NATO-s

16:38 | 28 Dhjetor 2020
L G

Një Kosovë e fortë dhe e integruar në NATO është garancë e sigurisë në Evropën Juglindore, tha të hënën Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, në takimin zyrtar që zhvilloi në Ankara, me homologun e saj turk, Mevlut Çavusoglu.

Shefja e diplomacisë tha se është mirënjohëse për mbështetjen shumëdimensionale dhe të pandërprerë të Turqisë, veçanërisht në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Në takim me Çavuşoglun, Ministrja Haradinaj-Stublla tha se janë diskutuar të gjitha aspektet e raporteve bilaterale midis të dyja shteteve, duke ngritur me prioritet çështjen e qasjes në vaksinën anti-COVID19, dhe mbështetjen për bashkëpunim të ngushtë në këtë drejtim.

Në kuadër të diskutimit për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, Kryediplomatja Haradinaj-Stublla kërkoi përkrahjen e mëtejme të Turqisë në përmbylljen e njohjes universale të shtetit të Kosovës, si anëtar me të drejta dhe përgjegjësi të plota në bashkësinë ndërkombëtare.

“E sigurova homologun se një Kosovë e fortë brenda, e integruar në NATO dhe e njohur ndërkombëtarisht është garancë e fortë e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore. Njëherësh u sigurova nga Ministri Çavuşoğlu se Turqia do të vazhdojë mbështetjen e plotë për Kosovën në këtë aspekt”, tha Haradinaj-Stublla.

“Gjithashtu, treguam gatishmëri për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në aspektin e sigurisë dhe atë ushtarak, sidomos për aspiratën legjitime të Kosovës për avancimin e rrugëtimit të saj integrues për në NATO, duke përmbyllur kështu arkitekturën e sigurisë në brezin e Adriatikut”.

Ministrat diskutuan edhe për nevojën e rritjes së aktivitetit ekonomik midis dy shteteve dhe përmirësimin e bilancit tregtar. Ministri Çavuşoğlu u shpreh se në këtë kuadër do të rriten investimet turke në Kosovë si edhe do të mundësohen kushtet për rritjen e eksportit kosovar drejt Turqisë.

Të ngjashme