Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të qëndrimit në Slloveni, ka zhvilluar takim bilateral me kryeministrin e Sllovenisë, Miro Cerar.
“Sllovenia dhe Kosova gëzojnë miqësi tradicionale dhe ndajnë vizionin e përbashkët për stabilitet dhe për vlera evropiane. Mbështetja e Sllovenisë për Kosovën, në zhvillim ekonomik, e veçanërisht në anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë është e një rëndësie të madhe”, tha Kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj tha se Sllovenia ka qenë dhe vazhdon të jetë partner shumë i rëndësishëm i Kosovës, përmes përkrahjes së gjithanshme në të kaluarën dhe se ky partneritet ekonomik dhe politik duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, transmeton arbresh.info.
“Sllovenia ka luajtur një rol të veçantë që Kosova të marrë kryesimin e SEECP-së për vitin 2019-2020. Jemi mirënjohës për përkrahjen tuaj në nismat rajonale dhe në rrugën tonë euroatlantike. Shtetet tona dhe Ballkani Perëndimor e kanë vendin brenda Bashkimit Evropian”, tha Kryeministri Haradinaj.
Kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar, tha se bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
“Kosova luan një rol të rëndësishëm në stabilitet dhe paqe në rajon dhe mbështetja e Sllovenisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen në rrugën evropiane të Kosovës dhe në përfundimin e bisedimeve me Serbinë”, tha Kryeministri slloven, Miro Cerar, duke shprehur mbështetjen edhe në transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e vendit.
Në këtë takim bilateral mes kryeministrash, Kryeministri Haradinaj tregoi edhe për të arriturat e vendit në përmirësimin e ambientit ekonomik, në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe punën e Qeverisë së Kosovës drejt përafrimit të vendit me familjen evropiane./arbresh.info/
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...
Konjufca pret në takim një delegacion nga Azia Jugore, disku...
Regjimenti i Mjekësisë së FSK-së, merr pjesë në një ushtrim ...