Haradinaj: Serbët le ta dinë se i kemi bërë lutje Gjuriqit të mos vijë

14:05 | 27 Mars 2018
Arbresh.info

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka deklaruar se paralajmërimi i Listës Serbe se do ta formoj vetë Asociacionin është i ngutshëm dhe i dëmshëm.

Ai tha se qytetarët serb duhet ta dinë që Kosova, përmes kanaleve zyrtare të saj i ka bërë lutje Marko Gjuriqit që të mos vijë dje në Kosovë por ndonjë ditë tjetër, raporton Arbresh.info.

“Është një paralajmërim i ngutshëm dhe i dëmshëm i tyre, nuk është mirë të testosh pa kufi durimin e askujt, më mirë është t’i kthehesh tavolinës dhe të gjendet një gjuhë komunikimi. Qytetarët serbë duhet ta dinë se i kemi bërë lutje zotrit Gjuriq përmes kanaleve tona zyrtare që të mos vijë atë ditë, të vijë një ditë më vonë se kalon ndalesa. Mirëpo duhet ta kuptojnë të gjithë se janë procedura që duhet t’i respektojmë”, është shprehur Haradinaj në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Haradinaj deklaroi se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile dhe se institucionet e rendit dhe ligjit janë në nivel të përgjegjësisë së punës së vet në të gjithë territorin./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme