Në fjalën e tij përmbyllëse, Nasim Haradinaj i është drejtuar prokurores Valeria Bolicci duke i thënë “Ndërsa ju prokurore fjalën kriminel merreni mbrapsht dhe mbajeni për vete se mua nuk më takon kjo fjalë”.
Fillimisht, Haradinaj ka thënë se kur filloi seanca e 14 marsit dhe dëgjoi se do t’i jepet gjysmë ore e drejta e fjalës përmbyllëse, ka menduar se nuk do të ketë nevojë të marrë fjalën fare, pa marrë parasysh kërkesat apo ngarkesat e fajësisë mbi të.
Sipas tij, kishte vendosur të mos flasë fare por të dëgjojë rrjedhën e procedurave, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Por, sipas Haradinajt, kur prokurorja Valeria Bolicci mori fjalën, ajo u mundua të imponohej paturpësisht dhe ta vendos trupin gjykues para aktit të kryer që me harbutërinë e saj shkoi aq larg që jo vetëm bëri gabim amatorik që nuk mund të ndodhin as në gjykatat më diktatoriale por i fyu dhe u tha “këta të dy janë kriminelë”.
Ai tha se pasi paneli gjykues nuk reagoi, kjo e nxiti të marrë fjalën dhe se kjo është paprecedent qoftë për një prokurori surrogate e se e kupton prokurorinë se është e mllefosur që s’ka fakte, por ajo duhet të dijë se për ta ende vlen parimi i prezumimit të pafajësisë.
Haradinaj deklaroi se prokuroria tha se e kanë penguar drejtësinë që 20 vite, por Valeria Bolicci po harron se këto dhoma nuk kanë mbushur ende 7 vite nga formimi.
“Prokurore është gabim amatoresk në drejtësi pasi ne ngarkohemi vetëm për një periudhë kohore prej 2 javësh. Nëse prokurorja ka llogaritë kohën e veprimtarisë time edhe këtu ia ka fut kot dhe e ka gabim, unë që nga viti 1978 nga mosha 15 vjeçare e i bie 44 vite, kam vepru për lirinë dhe të drejtat legjitime të popullit tim dhe e kam luftuar okupimin dhe robërinë e popullit tim”, ka thënë ai.
Tutje tha se nëse fakti që e do njerëzoren dhe të drejtën njerëzore të popullit të tij dhe ka gatishmërinë të luftojë kundër të padrejtës dhe këtë prokurorja e quan veprimtari kriminale, atëherë ajo ka probleme me perceptimin e të drejtës themelore të popullit.
“Kundërshtimi im qëndron te politika e prokurorisë dhe kjo prokurori nuk po bën punën e vet për qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Ai tha se pret nga paneli drejtësi dhe që drejtësia të dal në shesh e triumfoj.
“Ndërsa ju prokurore fjalën kriminel merreni mbrapsht dhe mbajeni për vete se mua nuk më takon kjo fjalë”, ka thënë ai.
Tutje, iu drejtua edhe Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, lidhur me atë që ai tha se Haradinaj ka interes personal.
Ai tha se dhe prokurori e di se kjo është gënjeshtër.
“Po të kisha këqyr interesin tim personal do isha me familjen time, s’do isha as në luftë, s’do isha i burgosur, por kjo të duhet të diktosh dhe impenjohesh në marrjen e vendimit të këtij paneli”, ka thënë Haradinaj.
Ai i tha Smith se kërkoi dënim të lartë për të për të arritur efektin që mos të guxojnë të tjerët të mendojnë kështu.
“Zoti prokuror, beso se je kundërshtim me vetveten, nëse të kujtohet fjalimi i parë, ti ke thënë se është e lejuar të mendohet ndryshe”, ka thënë ai.
Tutje, theksoi se ky mendim që prokurori ka është mendim i prokurorive dikatoriale që i ka bërë Serbia e shumë shtete diktatoriale që kanë menduar të ndalojnë fjalën dhe kjo duhet ta turpëroj atë, shtetin nga ai vjen dhe institucionin që përfaqëson.
Kurse, për prokurorin James Patch, i përmendi një citim nga fjalimi i tij gjatë kësaj seance për të cilin tha se beson se i ka dalë nga shpirti njerëzor.
“Tha kanë ndodhë në Kosovë masakra krime dhe vrasje të ndryshme dhe nga kjo atje dëshmitarët që dëshmojnë kundër heronjve kombëtar quhet tradhtar, po ashtu është ashtu mendon shteti yt, i jemi e edhe Suedia, por nëse këqyret me syrin e Smith qysh po na këqyr ne, ty sonte duhet me tu ngrit aktakuza sepse bëre dhe dhe mesazh ma kërcënues që ti i ke për dëshmitarët se nëse the se quhen tradhtar ata që vinë e dëshmojnë kundër heronjve kombëtar, atëherë po i bien që heronjtë kombëtar po doni t’i qitni në aktakuzë”, i ka thënë ai.
Në fund, ai tha se gjithçka që e ka bërë, e ka bërë për shtetin e tij.
Edhe avokati i Haradinajt e kundërshton propozimin e prokurorisë për dënim me burgim prej gjashtë vitesh
(Përditësuar, ora: 15:57) – Toby Cadman, avokati i Nasim Haradinajt, e ka kundërshtuar dënimin me burgim prej gjashtë vitesh të propozuar nga prokuroria për të mbrojturin e tij.
Avokati Toby Cadman tha se nuk ka prova për vënien në shënjestër të viktimave vulnerabël dhe abuzim të pushtetit dhe nuk është vendosur se është bërë ndonjë mizori, e se asnjë nga faktorët nuk është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm.
“Rrethanat zbutëse si sjellja e një personi të dënuar pasi është kryer akti duhet t’i jepet peshë. Sjellja në kohën e tanishme e të akuzuarit duhet të them se rrethanat zbutëse duhet të merren parasysh në bazën e tërësisë së faktorëve dhe probabilitetit dhe në kontrast me faktorët rënduese në aktakuzë. Paneli nuk duhet të kufizohet në faktorët zbutës që përfshihen në Rregulloren e DhSK por edhe në rastet tjera të gjykatave ndërkombëtare dhe faktorët tjetër të përshtatshëm”, ka thënë ai.
Sipas tij, Haradinaj ka marrë hapa aktiv që gazetarët që kanë marr dokumentet të kryenin detyrën profesionale dhe nuk ka asnjë provë se ka kërcënuar apo frikësuar ndonjë dëshmitar, apo ka kontaktuar ndonjë dëshmitar. Sipas tij, të gjitha këto duhet të merren parasysh nga trupi gjykues.
Ai tha se Haradinaj ka bashkëpunuar me ZPS dhe kur e kontaktuan, ai siguroi që zyrtarët e ZPS-së të ishin të mirëpritur dhe siguroi që një kopje e atyre dokumenteve të ruhej për ZPS-në, e se ishte tërësisht transparent për të gjitha materialet që u shkuan.
“Ka ofruar gjitha provat e mundshme përfshirë kamerat e sigurisë dhe ka lehtësuar hetimin me kohë të kësaj çështje. Ai bëri të qartë se donte të hetoheshin rrethanat e rrjedhjes së këtyre dokumenteve nga ZPS, por ZPS vendosi të mos merrte asnjë veprim”, ka thënë Cadman.
Ai tha se kur Haradinaj mori vesh për kërkesën e Gucatit shkoi në zyrat e OVL-UÇK-së dhe nuk u përpoq t’i shmangej drejtësisë dhe e bëri praninë e tij të ditur dhe foli me gazetarët e policinë jashtë ndërtesës, duke shtuar se u tha të gjithëve se do të bënte intervistë në televizor dhe kur u arrestua kërkoi të arrestohej nga Policia e Kosovës dhe bashkëpunoi.
“Sa i përket praktikës ndërkombëtare, rëndësia e krimit ka rëndësi themelore në rastin e dhënies së dënimit dhe kjo ka të bëj jo vetëm me rëndësinë objektive, por edhe rrethanat që e lehtësojnë çështjen. Vlerësimi duhet të bëhet mbi bazën e rrethanave konkrete, si nga ana sasiore, ashtu edhe nga ana cilësore. Në një rast të mospërfilljes së gjykatës në rastin Gjdoza u pa se ishte qasja e drejt që trupi gjykues nuk u fokusua vetëm te vepra penale, por edhe faktorët tjerë rrethanor”, tha ai.
Tutje, tha se nuk është paraqitur asnjë provë për të treguar se ndonjë individ ka vuajtur apo pësuar lëndim fizik si rezultat i veprimeve të Haradinajt, e se ZPS nuk është penguar për të kryer mandatin e vet apo hetimin e kësaj çështje apo çështjeve tjera.
“Dhënia e një dënimi me burgim do të ishte dispropocionale. Trupi gjykues duhet të siguroj të ketë propocionalitet dhe çdo dënim duhet ët jetë proporcional dhe të merren parasysh edhe konsiderata të tjera. Motivi i të akuzuarit mund të quhet rrethanë lehtësuese, motivet e tij kanë qenë shumë të qarta gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.
Tutje, tha se qëllimi ishte të vinte në vëmendjen e publikut atë që ai e quan bashkëpunim jo etik mes ZPS dhe zyrtarëve serb, çka edhe shumë shqiptarë e konsiderojnë se ata persona kanë qenë të përfshirë në shumë masakra të shumë shqiptarëve në Kosovë.
“Pika 1 dhe 2 e aktakuzës, duke pas parasysh që Haradinaj as nuk ka kërcënuar e kontaktuar asnjë nga dëshmitarët dhe zyrtarët publik, atëherë i vetmi dënim që mund të jepni ju të nderuar gjykatës nëse vendosni të jetë fajtor, do të jetë një dënim me burg sa më i shkurtër të jetë i mundur duke pas parasysh kohën e kaluar në burg deri tani”, ka deklaruar Cadman.
Sipas tij, nëse trupi gjykues mendon të jap dënim me burg, megjithëse mendojnë se është e pajustifikueshme çfarëdo dënimi me burg që mund të jepet, duhet të jetë sa më i vogël të jetë e mundshme dhe jo më shumë se koha e kaluar në paraburgim.
Për pikën 3, ai tha se nuk janë paraqitur prova se ndonjë dëshmitar i ZPS-së ka pësuar frikësim të drejtpërdrejt dhe as Haradinaj nuk i ka kontaktuar dhe si rezultat është pozicioni i mbrojtjes se kjo çfarëdo dënimi që mund të jetë për këtë pikë të mos jetë dënim me burgim.
Lidhur me pikën 4 duke pasur parasysh mungesën e provave, mbrojtja tha se nuk duhet të jepet dënimi me burg, por nëse jepet nuk duhet të jetë më i gjatë se ai i kaluar në burg.
Sa i përket pikës 5, duke pas parasysh motivimin e Haradinaj që ka qenë interesi i publikut, ai tha se mendojnë se dënimi me gjobë do ishte i përshtatshëm nëse shpallet i fajshëm i njëjti.
Kurse, për piken 6, ai tha se Haradinaj ka marrë hapa aktiv që mos të zbulohej asnjë informacion konfidencial dhe se nuk mund të thuhet se ka pasur pasoja serioze për ata persona që kanë status të mbrojtur.
Edhe për këtë pikë, ai tha se nuk duhet të jepet dënim me burg, por nëse trupi gjykues e vlerëson se duhet të jepet dënim me burg, duhet të jepet në gamën më të vogël dhe jo më e gjatë se koha e kaluar në paraburgim.
“Nëse trupi gjykues mendon se rrethanat lehtësuese që kemi përcaktuar këtu përsëri duhet të japin vendim me burgim, atëherë Haradinaj i ka bërë tashmë 18 muaj dhe të gjitha çështjet që përmenden duhet të merren parasysh”, ka thënë Cadman.
Ai tha se rrethanat e Haradinajt kanë ndryshuar shumë gjatë kohës sa ka qenë në burg dhe katër muaj pasi u burgos, bashkëshortja e tij u diagnostifikua me kancer dhe shpjegoi hapat që iu deshën asaj të marrë për të trajtuar sëmundjen.
“Ishte izoluar gjatë një periudhë të jetës së saj të vështirë, mungesa e tij gjatë jetës familjare është ndjerë shumë gjatë kohëve të tilla, megjithatë se tani është në remision, trajtimi që ka bërë e ka rënduar trupin e saj dhe mirëqenien psikologjike. Si baba dhe bashkëshort është i shqetësuar për mundësinë se kanceri mund të kthehet dhe si çdo bashkëshort dhe baba tjetër është e vështirë për të mos jetë me familjen e tij në këtë kohë”, tha ai.
Sipas tij, vendimi për burgim do të kishte pasoja për bashkëshorten e tij dhe mirëqenien e familjes.
“Situata rëndësohet edhe më tej edhe nga shëndeti i keq i vëllait të tij më të vogël, nuk do t’i jap hollësitë e tij por si mund ta shihni nga referenca për karakterin që ka jep i biri, ai ka thënë se shëndeti i tij po rëndohet çdo ditë”, ka thënë Cadman.
Ai tha se të gjithë faktorët së bashku përbëjnë rrethana të jashtëzakonshme dhe trupi gjykues nuk duhet të mbyll sytë para tyre kur të marr parasysh faktorët lehtësues.
“Keni referencat e bëra në emër të Haradinaj, përveç bashkëshortes e djalit, keni edhe deklaratën e ambasadorit William Walker, edhe pse janë hequr pjesë të deklaratës së tij. Do shikoni dy raste kur Walker ndërmjetësoi me Haradinaj dhe ka treguar një ndjenjë detyre ndaj përdorimit të qasjes jo të dhunshme dhe kjo tregon se Haradinaj është person që vendos tjerët para vetes”, tha ai.
Tutje, tha se kanë dhënë edhe deklaratë financiare dhe këtë e kanë dhënë për të treguar se nëse do të jepet dënim financiar, të shihet çka mund të paguaj Haradinaj.
“Një gjobë 20 mijë euro si ato të tribunaleve tjerë është pengues apo parandalues i mjaftueshëm në kundërshtim me atë që thotë Prokurori i Specializuar”, ka thënë ai, duke shtuar se në Kosovë një gjobë e tillë është shumë e madhe, njëashtu si për Haradinajn.
Së fundi, sa i përket pendimit, Cadman tha se ky është një argument i papërshtatshëm nga ana e prokurorisë pasi si u pa në videot e transmetuara, Haradinaj tha gjithmonë se ka vepruar në mënyrë transparente dhe interes të publikut.
“Nëse në fund ju dilni se ishte e paligjshme, e ne themi se nuk ishte dhe dhënia e dënimit shumë të madh do të ketë efekt negativ në të drejtën e fjalës së lirë. Do të ishte dënim i tepruar dhe do të kishte ndikim të keq në popullin në Kosovë”, ka thënë Cadman.
Ai tha se veprimet e Haradinajt kërkojnë të jepet ndëshkim jo me burg dhe dënim me gjobë brenda mundësive të tij financiare.
Tutje, tha se nëse paneli mendon të jep dënim me burgim, të ketë parasysh propocionalitetin dhe totalitetin dhe duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim.
”Mos më thuaj mua nuk guxon” – Xheneta ia thyen pakot e prot...
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me sigur...
Delegacioni i Maqedonisë së Veriut arrin në Kosovë, priten n...
Fitore Pacolli kapet keq me komentues për grantin 100 mijë e...
Po voziste nën ndikim të alkoolit, gjobitet shoferi në Gjila...
Gjendet pa shenja jete në banjën e një shtëpie një grua në F...