Haradinaj prezanton kandidatët për deputet nga Shtimja: Kosova direkt në NATO është garancia jonë për siguri dhe zhvillim ekonomik

20:18 | 10 Dhjetor 2024
E.H

Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatin për deputet të Kuvendit të Kosovës nga Komuna e Shtimes.

Haradinaj ka thënë se qeveria aktuale e ka izoluar dhe braktisur Shtimen, ashtu siç e ka izoluar gjithë Kosovën, përcjell Arbresh.info

“Qeveria aktuale e ka izoluar dhe braktisur Shtimen, ashtu siç e ka izoluar gjithë Kosovën. Kjo papërgjegjshmëri dhe paaftësi për të sjellë investime ka krijuar ngecje të thella zhvillimore. Në këtë komunë ku pushteti aktual e ka edhe qeverisjen vendore, nuk kanë qenë në gjendje të ndërtojnë as edhe një kyçje në autostradë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka prezantuar Profesorin Universitar, Mensur Neziri kandidat për deputet.

“Me Prof. Mensur Nezirin, që njeh çdo cep të Shtimes dhe nevojat e qytetarëve të saj, do të sjellim transformimin e vërtetë. Zgjerimi i rrugës që lidh Shtimen me Ferizajn dhe Prishtinën, si dhe zgjidhja përfundimtare e çështjes së ujësjellësit duke respektuar pronën private, janë prioritete të menjëhershme. Me energjinë e Kosovës Fituese, do të realizojmë projektet që i japin fund izolimit të Shtimes”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se investimet në infrastrukturë do të hapin perspektiva të reja për Shtimen.

“Kosova direkt në NATO është garancia jonë për siguri dhe zhvillim ekonomik. Me trefishimin e investimeve në bujqësi, mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe rritjen e pagës mesatare në 1000€, do të ndërtojmë një ekonomi të fortë. Luftëtarët e lirisë dhe familjet e dëshmorëve do të jenë në qendër të vëmendjes, ndërsa investimet në infrastrukturë do të hapin perspektiva të reja për Shtimen. 9 shkurti do të jetë festë për Kosovën Fituese”, ka përfunduar Haradinaj./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme