Google ADS

Haradinaj për AFP: S’e heqim kurrë taksën, nëse Serbia thotë se s’e njohim kurrë Kosovën

12:12 | 28 Janar 2019
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë për agjencinë e lajmeve “AFP” se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është e mundshme gjatë këtij viti, por ajo nuk mund të përfshijë ndryshime të kufirit. Ai ka paralajmëruar se shkëmbimi i territoreve mund të nxisë tensione në Ballkanin e dërrmuar nga lufta.

Ideja që Kosova dhe Serbia t’i japin fund mosmarrëveshjes së gjatë përmes shkëmbimit të territoreve shkaktoi shumë reagime vitin e kaluar pasi dy presidentët dhanë shenja se një gjë e tillë mund të vendoset mbi tavolinë. Megjithatë, kjo ide u kundërshtua ashpër nga grupet për të drejtat e njeriut dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Në intervistën e tij për agjencinë “AFP”, Haradinaj tha se beson që marrëveshja është e mundshme edhe gjatë këtij viti, por se ai nuk do ta pranonte përfshirjen e ndryshimit të kufijve. “Hapja e diskutimeve për territorin dhe kufijtë është hapje e së kaluarës, ndërsa e kaluara ishte tragjike”, tha ai.

Haradinaj shtoi se kufijtë kanë qenë shkaku i luftërave të së kaluarës, duke iu referuar konfliktit të vitit 1999, i cili e ndau me sukses Kosovën nga Serbia. Ai thotë se ndryshimi i sërishëm i kufirit do të ishte i rrezikshëm dhe nuk do t’i sillte vendet më afër marrëveshjes, por do t’i largonte nga ajo.

Kryeministri i Kosovës thotë se dëshiron që bisedimet të rifillojnë sërish, ndërsa vendosja e taksës për mallrat serbe ishte një përgjigje kundër arrogancës së zyrtarëve serbë, të cilët i akuzon për pengim të përpjekjeve të Prishtinës për t’u anëtarësuar në INTERPOL vitin e kaluar.

Ndonëse në fillim kishte thënë se taksa nuk do të hiqet pa e njohur Serbia shtetin e Kosovës, ai tashmë e ka zbutur qëndrimin, duke thënë se ajo do të largohet nëse bëhen përpjekje për rifillim të dialogut. “Nëse bisedimet bëhen serioze, nëse ka besim dhe nëse gjithçka përgatitet për të arritur diçka, ne do t’ia japim një mundësi këtij procesi. Por, nëse Serbia thotë se nuk do ta njohim kurrë Kosovën, përgjigja ime është se ne kurrë nuk do ta heqim taksën”, tha ai për agjencinë “AFP”.

Megjithatë, ai ka thënë se kurrë nuk do ta largojë taksën nëse Serbia thotë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Ky nuk është lajm i mirë për 120 mijë serbët që jetojnë në Kosovë, të cilët kanë protestuar kundër taksës dhe që vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë Beogradit.

Si kundërpërgjigje ndaj rezistencës së tyre, Haradinaj tha: “Nuk i detyrojmë, kemi kohë. Ata janë serbë dhe jetojnë si serbë. Vlerat e tyre janë të respektuara”, shtoi ai.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme