Kandidati për Kryeministër i Koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektuak E-30, Ramush Haradinaj, ka thënë se pas 9 shkurtit nuk do të ketë më degë të partisë në ambasadat e Kosovës.
Haradinaj përmes një reagimi ka thënë se klubet e krijuara partiake në përfaqësi diplomatike, do të shkatërrohen, shkruan Arbresh.info.
“Kurrë më Politikë të Jashtme për populizëm e vota të partisë në pushtet për “liderin suprem”. Ambasadat nuk do të jenë kurrë më degë e as pika të partive politike. Konsullatat nuk do të jenë zyra për votues partish në diasporë. Do t’i shkatërrojmë klubet, tashmë të krijuara partiake, në përfaqësi diplomatike”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka treguar se për çfarë duhet të shërbejnë ambasadat.
– Ta shtyjnë anëtarësimin direkt të Kosovës në NATO;
– Ta organizojnë arsimin shqip në diasporë;
– T’i promovojnë vlerat kulturore, artistike e arsimore;
– Të tërheqin investime të huaja e të rrisin eksportin e mallrave të Kosovës;
– Ta rikthejnë vlerën e shtetit në politikën ndërkombëtare.
Misionet diplomatike të Kosovës në botë janë për të krijuar ura bashkëpunimi, jo për t’i shkatërruar ato e për t’u bërë servis i propagandës së partisë në pushtet”, është shprehur Haradinaj.
Sipas Haradinajt, e mjerë është ajo qeveri kur për katër vjet, kryeministri i saj nuk arrin t’i ruajë marrëdhëniet e krijuara me aleatët.
“Ka ardhur koha për një kontratë të re me SHBA. Shtëpia e Bardhë është busulla e politikës sonë të jashtme. E mjerë është ajo qeveri kur për katër vjet, kryeministri i saj nuk arrin t’i ruajë marrëdhëniet, me aq mund të krijuara, me partnerët strategjikë të Kosovës, por përkundrazi t’i rrezikojë ato. Një kryeministër që për të parën herë në histori e fut vendin e vet nën sanksione të BE-së e të Amerikës, dhe që asnjëherë nuk arrin të jetë mysafir në Shtëpinë e Bardhë. Jo më populizëm në kurriz të aleatëve”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se Kosova do të shndërrohet në një vend të dëshiruar për partneritet.
“Politika e Kosovës sot e nënkupton Kosovën direkt në NATO, duke e zbatuar menjëherë planin e veprimit për anëtarësim. Anëtarësim i cili do të na hapë horizonte të reja në politikën e jashtme, edhe për njohje të reja, edhe për ndërtimin e urave të miqësive të reja me vendet e botës. Kosova kurrë më nuk do të sanksionohet e as izolohet. Kosova do të shndërrohet në një vend të dëshiruar për partneritet”, ka thënë ai.
Haradinaj është zotuar se me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe me vende të BE-së do të koordinohen për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.
“Ambasada e Kosovës në SHBA do të rritet në mënyrë përmbajtësore, me diplomatë dhe bashkëpunëtorë, dhe do të shndërrohet në një mini-Kosovë në mes të Washingtonit. Do t’i rrisim misionet tona në New York, Londër, Paris, Berlin, Romë, Vjenë, Bern dhe kudo që ka nevojë. Kosova është shtet dhe do të sillet si shtet. Bashkë me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe mekanizmat e tjerë të vendeve aleate dhe të Bashkimit Evropian, do të koordinohemi për anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare. Me ne, pas 9 shkurtit, do të ndodhë Kthesa e Madhe edhe në politikën e jashtme”, ka përfunduar Haradinaj./Arbresh.info/
“90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në TikTok”, Rama...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 200 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
I dyshuari për sulmin në Gjermani përballet me 5 akuza për v...
“Biletë kthimi e çek me para” – gjashtë avantazhet që ndodhe...
Mund të largohet i lirë nga Barcelona, tre gjigantët evropia...
“Mashtruese”, debat i ashpër mes Xhenetës dhe Sarës