Haradinaj numëron tri arsye pse propozoi 26 janarin për zgjedhje: T’ia shkurtojmë Kosovës gjendjen dëshpëruese

15:40 | 1 Gusht 2024
E.K

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka numëruar tri arsye pse kjo parti e ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve në takimin e partive politike me presidenten Osmani.

Sipas tij, vendit i duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme të Qeverisë, të cilat ai i ka ndarë në tri grupime – dështimet në marrëdhëniet ndërkombëtare, ato ekonomike dhe kapja e institucioneve të vendit.

“Ju kam ftuar këtu për tri grupime të dështimeve të Qeverisë së vendit, të cilat janë edhe arsyeja pse AAK e ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve”.

“Së pari, dështimet në marrëdhëniet e jashtme, me aleatët më të rëndësishëm të Kosovës, BE dhe ShBA. Grupimi i dytë i dështimeve janë në kapjen e institucioneve të pavarura. Nuk ka mbetur asnjë institucion që nuk i është armiqësuar kjo qeveri. Grupimi i tretë ka të bëjë me dështimet ekonomike, mos-investimi dhe mos-rritja e pagave e deri te paaftësia për të ndaluar rritjen enorme të çmimeve”.

“Këto janë arsyet kryesore edhe pse në takimin e djeshëm e propozuam 26 janarin si datë të zgjedhjeve, në mënyrë që Kosovës t’ia shkurtojmë për disa javë këtë gjendje dëshpëruese”, ka thënë Haradinaj./eo

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme