Google ADS

Haradinaj nuk po u bindet ndërkombëtarëve për taksën

19:12 | 2 Prill 2019
Arbresh.info

Dy deputetë të Bundestagut gjerman, Peter Bauer nga CDU dhe Christian Schmidt nga CSU, kanë vizituar dje Kosovën ku janë takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pas takimit me deputetët gjermanë, Haradinaj deklaroi se Gjermania ka shprehur vazhdimisht interesim për Kosovën dhe rajonin. Ai gjithashtu tha se është diskutuar për marrëdhënie bilaterale midis dy shteteve, shkruan lajmi.net.

Kohëve të fundit, kryeministrit Haradinaj i janë shpeshtuar takimet me delegacione të huaja, por sa po ndikon kjo në qëndrimin e Haradinajt për taksën?

Njohësi i çështjeve politike, Naim Rashiti në një prononcim për lajmi.net është shprehur se Qeveria po gabon kur po llogarit në ndarje të qëndrimeve të faktorit ndërkombëtar.

“Kur flitet për dialogun qëndrimet e ndërkombëtarëve janë të ndryshme dhe nuk ka ende ndonjë kohezion sa i përket çështjes së dialogut. Edhe qeveria po gabon që po llogarit në ndarje të dallimeve të faktorit ndërkombëtar”, është shprehur Rashiti.

Rashiti gjithashtu është shprehur se vizitat e ndërkombëtarëve sidomos këto të gjermanëve janë të fokusuara në dialogun.

“Ndërsa vizitat kanë të bëjnë vetëm me agjendën e dialogut, ose janë të fokusuara në dialogun. Sidomos këto të gjermanëve duke e parë situatën se çfarë është duke ndodhur dhe duke i parë kushtet të fillojë dialogu”, tha Rashiti.

Ai krejt në fund është shprehur se Qeveria duhet të vijë me një plan të sajin e gjithashtu taksa duhet të suspendohet për disa muaj ku duhet të kërkohet edhe implementimi i marrëveshjeve të dialogut teknik.

“Qeveria duhet të vijë me një plan se çka kërkon nga BE-ja lidhje me dialogun pa pasë nevojë të ballafaqohet me presion sepse është e nevojshme.

“Qeveria duhet të suspendoj për disa muaj taksën dhe t’i kërkojnë implementimin e marrëveshjeve të dialogut teknik gjë që besoj se BE-ja do ta shtyjë përpara, por qeveria duhet të ndërmarrë hapa vet përmes veprimeve të qeverisë”, tha në fund Rashiti.

Deputetët gjermanë pas vizitës në Kosovë, vizituan edhe Beogradin ku u takuan me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Siç u raportua në “Tanjug”, Vuçiq u ka thënë deputetëve të Bundestagut se Serbia është absolutisht e angazhuar në zgjidhje kompromisi me Kosovën, duke shtuar se Kosova e ka bllokuar dialogun me taksën.

Nuk kanë kaluar as një muaj që kur kryeministri Haradinaj është takuar me dy këshilltarët politikë të kancelares gjermane, Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Luttenberg.

Në takim tek Haradinaj erdhën edhe Drejtori kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, John Earth dhe drejtori për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-ve, Brad Berkley.

Këto ishin vetëm disa nga takimet e kryeministrit të Kosovës me delegacione përfaqësuese ndërkombëtare të cilat nuk arritën ta bindin për heqje të taksës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme