Haradinaj: Nuk ka logjikë që deputeti të marrë rrogë dyfish më të madhe se kryeministri

00:11 | 8 Mars 2018
Trina Galanxhi

Daut Haradinaj, deputet i AAK-së dhe vëllai i kryeministrit, ka mbrojtur vendimin për rritje të pagave të kryeministrit dhe stafit të tij.

Sipas tij nuk ka logjikë që një deputet të ketë pagë dyfish më të madhe se kryeministri.

“E di se s’ka qenë vendim popullist, por është e palogjikshme që kryeministri ta ketë pagën e 85 ose 86 në ranglistën e shtetit. S’është e drejtë që unë të marr 3000 euro e kryeministri 1100. Dihet që fati i shteti bie mbi supet e tij. E dimë që përgjegjësia kryesore është e tij. Mendoni që këshilltari i zëvendëskryetarit të Kuvendit e ka pagën 3000 euro. Flasim për prokurorinë, gjykatat e të tjerat. Nëse flasim për shumën është temë tjetër. Nuk besoj që Ramush Haradinaj e ka rritur pagën për vete. Besoj që më shumë institucionet duhet të kenë kushte më të mira për punë. Vendimi nuk ishte popullist”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëse ky vendim ishte i drejtë apo jo, shteti duhet të krijojë kushte më të mira për punë në institucionet shtetërore.

“Duhet të krijojmë kushte më të mira për gjyqësor e institucione. Si shoqëri duhet të shohim përgjegjësi prej tyre. Ka shumë gjëra që Kosova i pret. Kemi pamjet e shëndetësisë. Duhet rritur buxheti atje. Nuk i kemi një spital të ri, 18 vjet pas luftës. Duhet të bëhet nivelizimi i pagave. Ka zjarrfikës që marrin pagë 150 euro. Te ne diskriminohen, ndërsa në vendet tjera janë heronj”, ka thënë ai./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme