Haradinaj nuk i ndëshkon ministrat

13:07 | 7 Maj 2018
Arbresh.info

Ministrat e Qeverisë së Kosovës përveç që po e injorojnë Kuvendin duke mos marrë pjesë në seancat plenare, po mungojnë edhe në mbledhjet e Qeverisë, siç ndodhi të premten. Përkundër paralajmërimeve, Haradinaj nuk ka marrë asnjë masë ndaj tyre.

“Le të jetë kjo vërejtja e fundit për kolegët e mi ministra. Të gjithë duhet të vijnë në seancë”.

Kjo kërkesë e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk ka qenë e fundit, por ka vazhduar edhe herë të tjera. Megjithatë Kuvendi vazhdon të mos përfillet nga ana e ministrave. Madje, jo vetëm Kuvendi, por edhe Qeveria. Shpesh ata përfaqësohen nga zëvendësministrat në mbledhjet e ekzekutivit. Rasti i fundit ishte të premten, kur dështoi mbledhja për shkak se nuk kishte kuorum.

Mungonte një numër i madh i ministrave. Kryeministri Haradinaj u detyrua ta mbyllë mbledhjen ende pa nisur, ndërsa paralajmëroi masa ndaj ministrave, duke mos përjashtuar as shkarkimet.

“Unë nuk do të pres në pakufi t’u japë një përgjigje atyre që nuk vijnë, nëse s’kanë arsye madhore, se mund të kenë arsye madhore të kenë arsye të mos jenë, qoftë këtu qoftë në seancë”.

Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu” thotë se ky joseriozitet do duhej të ndëshkohej, madje edhe me shkarkimin e ministrave nga ana e kryeministrit. Demhasaj thotë është e nevojshme të krijohet një kulturë e tillë, ndonëse kryeministri Haradinaj e ka të vështirë të bëjë veprime të tilla pa u konsultuar me partnerët e koalicionit.

“Duhet t’i hyhet një rreziku të tillë dhe të merren vendime të tilla edhe nëse kjo mund të ndikojë që të prishet koalicioni, sepse pastaj krijohet një kulturë politike. Por, problem konsideroj se është pikërisht kjo, pasi mund të prishet koalicioni dhe ndoshta ky është problemi kryesor që Haradinaj nuk merr një vendim të tillë, pasi rrezikon direkt karrigen e vet”, tha Demhasaj për Radio Kosovën.

Të premten pas dështimit të mbledhjes së ekzekutivit, kryeministri Haradinaj tha se do të bëjë një evidencë të mungesave të ministrave dhe nëse ka mungesa pa arsye në konsultim me partnerët e koalicionit do të kërkojë lirimin e ministrave që nuk vijnë në mbledhje të Qeverisë./rtklive

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme