Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se gruaja në shoqërinë e në shtetin tonë, duhet të ketë një trajtim shumë më të avansuar.
Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se gruaja më në fund duhet të jetë krejtësisht e barabartë.
“Vetëm me përdorimin e slloganeve se gruaja është e barabartë dhe do t’i zbatojmë kuotat gjinore, nuk i përmbushim obligimet tona.”, tha ai.
“Para se me masa administrative e me vendosjen e kritereve gjinore, duhet të punojmë në vetëdijësimin e secilit prej nesh, ku njëherë e përgjithmonë do të hiqet dorë nga të ashtuquajturat norma kanunore mbi të drejtat e grave.”, shtoi Haradinaj.
Kreu i AAK-së theksoi se është e pamundur të flasim për barazi gjinore e në praktikë të zbatojmë të drejtat kanunore.
Haradinaj tha se ndryshimi i parë i menjëhershëm do të jetë zbatimi në plotni i Ligjit për trashëgiminë ku çdo grua të jetë trashëguese dhe bartëse e barabartë e pronës së paluajtshme.
“Arsimi, domosdoshmërisht do të përshtatet me nevojat e tregut të punës dhe do të na mundësojë identifikimin e veprimtarive ekonomike, të përshtatshme për punësimin e grave. Shkalla e punësimit të tyre në sektorin publik, do të jetë shumë më e lartë.”, u shpreh kreu i AAK-së.
“Shteti do të ofrojë garanci dhe do të subvencionojë hua për biznese që udhëhiqen nga gratë. Do ta zbatojmë orarin fleksibil për gratë shtatzëna dhe ato që kanë fëmijë nën moshën shkollore. Krijimi i familjes është sfidë dhe gruaja ka rol vendimtar në mirëmbajtjen dhe zhvillimin e saj prandaj edhe duhet t’i njihet kontributi.”, shtoi ai.
Haradinaj tha se nënat që kanë 3 e më shumë fëmijë do të përfshihen në pagën minimale prej 500 eurosh.
“Shtesat mujore për çdo fëmijë të moshës nën 6 vjeç, do të jenë 150 euro, kurse për fëmijë mbi këtë moshë 200 euro.”, shtoi ai.
“Shteti do të mbështes krijimin e familjeve të reja dhe rritjen e tyre. Për fëmijën e parë do të jepen 1500 euro, për të dytin 2500 dhe për të tretin 3500.”, tha Haradinaj.
“Gratë e vajzat e Kosovës, me suksese të jashtëzakonshme në sport, në art, në biznes, por edhe në arsim e në shkencë, na kanë bërë krenarë. Është përcaktim i koalicionit për Kosovën Fituese që shteti e shoqëria t’i mbështesë, t’i inkurajojë dhe të investojë më shumë për to. Është investim për të sotmën dhe të ardhmën tonë.”, përfundoi kreu i AAK-së./Arbresh.info/
“U kry çdo sen” – Gjesti shpërthen në lot pas nominimit kokë...
Pas dorëheqjes së Trudeau, Trump këmbëngul: Kanadezët do të ...
Trajneri i ri i Milanit feston trofeun me “puro” dhe vallëzi...
Shkupi, qyteti më i ndotur në Evropë
Hoti: Trefish më shumë punëtorë se këta të pranuar sot në KE...
A do të ulet çmimi i energjisë në Shqipëri? Bordi i ERE shqy...