Google ADS

Haradinaj në udhëkryq për Demarkacionin

08:32 | 7 Tetor 2017
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është vënë para një udhëkryqi, rrugët e të cilit i ka krijuar vetë. Si një kundërshtues i madh i Marrëveshjes aktuale të Demarkacionit me Malin e Zi, çështje kjo e cila po mban ende të izoluar kosovarët, Haradinajt i janë shteruar edhe zgjidhjet.

Mali i Zi nuk dëshiron të rinegociojë marrëveshjen, BE-ja nuk pranon heqjen si kriter për liberalizim, kurse ratifikimi i marrëveshjes aktuale po shihet si “vetëvrasje politike”. Cilën rrugë do të zgjedhë kryeministri? Topi është tek ai.

Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt ngadalë po i mbyllen të gjitha strategjitë dalëse rreth çështjes së Demarkacionit. Derisa liberalizimi i vizave është bllokuar në dy kriteret e fundit, luftimi i krimit të organizuar e i korrupsionit dhe ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, Qeveria e Kosovës është vënë para një presioni qytetar dhe ndërkombëtar.

Institucionet ndërkombëtare vazhdimisht, e së fundmi edhe në mes të Prishtinës, ia kanë përsëritur kryeministrit Haradinaj se ratifikimi i Demarkacionit as nuk mund të hiqet si kriter, por edhe duhet të adresohet sa më parë. Duke parë ngushtimin e rrugëdaljeve, Haradinaj së fundmi ka dhënë një deklaratë më të zbutur se zakonisht. “

Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën për Demarkacionin dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë do t’i drejtohemi partnerëve politikë në Kosovë, por edhe partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai. Këtë deklaratë e ka përforcuar edhe më tej zëvendësi i tij, Behgjet Pacolli, i cili së fundmi tha se nëse komisioni i ri nuk gjen shkelje, atëherë Qeveria do të kthehet te marrëveshja e parë, transmeton zeri.info.

Në anën tjetër, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të proceseve politike në vend kanë thënë se marrëveshja aktuale e Demarkacionit as nuk mund të ndryshohet pa dëshirën e Malit të Zi e as të hiqet si kriter për liberalizim. Madje, ata thonë se burrështetasit seriozë duhet t’u dorëzohen fakteve dhe argumenteve.

Në anën tjetër, opozita kosovare i ka bërë thirrje kryeministrit Haradinaj që të mos zbutet në qëndrimin e tij sepse nëse e sjell në Kuvend marrëveshjen aktuale ata do ta rrëzojnë domosdo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme