Google ADS

Haradinaj nderoi heronjtë e kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha në 40 vjetorin e rënies së tyre

13:04 | 11 Janar 2024
E.G

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Gjilan, ku ka nderuar heronjtë e kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha në 40 vjetorin e rënies së tyre.

Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se më pas ka vizituar familjet e tyre, shkruan Arbresh.info.

“Bashkë me kolegë bëmë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Gjilan, në kujtim e nderim të Heronjëve të Kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, si dhe vizituam familjet e tyre në 40-vjetorin e rënies heroike.“, ka shkruar ai.

Ndër të tjera, ai ka shkruar se Kodra e Trimave në Prishtinë mban këtë emër në saje të trimërisë, të guximit e të gatishmërisë për sakrificë të Rexhës e Nuhiut.

“Ata ishin vazhdimësi e përpjekjeve të shqiptarëve për çlirimin e atdheut.”, shkroi ai.

Sipas tij, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha ishin edhe paralajmëruesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Këto dy figura të ndritura, ishin përveç motiv për vazhdimësi dhe organizime të tjera e të shumta, ishin edhe paralajmëruesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila e solli lirinë. Emrat e tyre si dhe jeta e vepra e tyre, është pasuri për historinë tonë të lavdishme!”, shkroi ndër të tjera kreu opozitar.

Po ashtu, ata vizituan kazermën e Ushtrisë së Kosovës në Gjilan, ku u njoftuam me punën dhe të arriturat e ushtrisë sonë.

“Të impresionuar, me energjinë e vitalitetin që posedon ushtria jonë! Të motivuar nga trimëria dhe guximi i heronjve si; Nuhiu e Rexhepi dhe e kaluara e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”, përfundoi ai./Arbresh.info/

Të ngjashme