Haradinaj: Mustafa kundërshton zgjedhjet, dëshiron ta mbajë pushtetin me çdo kusht

22:46 | 23 Prill 2017
Arbresh.info

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, thotë se liberalizimi i vizave, ushtria dhe investimet po rrezikohen për shkak të Qeverisë së pafuqishme, të pavendosur dhe të paaftë.

Këto komente ai i bëri pas deklaratave të kryeministri Isa Mustafa se Kosova po rrezikon shumë me kërkesën për zgjedhjet e parakohshme.

Në një prononcim për Indeksonline, Daut Haradinaj thotë se e vetmja rrugë për ta zhbllokuar këtë situatë janë zgjedhjet.

“ Të gjitha ato që i paska përmendur kryeministri, Mustafa, po rrezikohen pikërisht për shkak të kësaj qeverie të pafuqishme, të pavendosur dhe të paaftë. Po besoj e vetmja rrugë për ta zhbllokuar këtë situatë të krijuar, janë zgjedhjet”, ka thënë Haradinaj.

Pos kësaj, Haradinaj thotë se Mustafa po i kudërshton zgjedhjet për shkak se po synon ta mbajë pushtetin me cdo kusht.

“Nuk e di saktë se cilat janë arsyet e Mustafës për t’i kundërshtuar zgjedhjet. Por, përpos dëshirë për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht, unë s’po shoh arsye tjetër”, ka shtuar ai.

Ndryshe, zërat për zgjedhje të parakohshme tashmë po shtohen çdo herë e më shumë. Madje, deputetë nga subjekti opozitar, Nisma për Kosovën, të cilët tashmë edhe kanë nisur një mocion për rrëzimin e Qeverisë, po presin që kjo gjë të bëhet javën e ardhshme dhe në fillim të qershorit të kemi zgjedhje të reja.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme