Haradinaj: Mogherini ndihej në borxh ndaj Serbisë e Rusisë, e ofendoi popullin e Kosovës

22:07 | 23 Prill 2020
Arbresh.info
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ish-ndërmjetësuesja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Frederica Mogherini ndihej në borxh ndaj Serbisë e Rusisë, përderisa pagën e merrte nga BE.
Ai ka thënë se Mogherini e ka trajtuar shumë keq Kosovën gjatë drejtimit të saj.
“Zonja Mogherini më shumë është ndi në borxh ndaj Serbisë e Rusisë, sesa ndaj BE-së që ia ka dhanë pagën, e SHBA-së. Kam pas dyshime në plot nivele që dicka është kah zihet në ato negociatat e fshehtë. Përveç dyshimeve, ka pas informacione se po bisedohet për një marrëveshje për shkëmbime territoriale”, ka thënë Haradinaj në RTV 21.
Ai ka thënë se Mogherini e ka ofenduar Kosovën, duke e anuluar një konferencë me të kur ishte kryeministër.
“Zonja Mogherini e ka ofendu Kosovën, sepse ia ka anuluar kryeminsitrit Haradinaj konferencën e paralajmërume me protokoll sepse unë e kam kërku SHBA-në në tavolinë. Sot SHBA-në e kemi në dialog, BE nuk e ka menaxhu rolin e vet në këtë dialog. BE sot i ka në process të dialogut dy zyrtarë që vinë nga vende që nuk e kanë njohur Kosovën e pavarur”, ka thënë ai.
Haradinaj ka thënë se BE duhet të angazhohen më shumë rreth këtij procesi.
“Nuk e kuptoj si mundet me na ndihmu Berlini e Franca, kur nuk angazhojnë njerëz të afërt të tyre në parlament. Presidenti Trump e bëri, e emëroi ambasadorin Grenell”, ka theksuar Kryetari Haradinaj.
Ai ka thënë se nuk beson më që ka rrezik nga ndarja, pas vitit 2018, pasi që ideja nuk ka më përkrahje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme