Haradinaj mirëpret interesimin e Serbisë për serbët në Kosovë

18:18 | 27 Maj 2019
L G

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë sot se Kosova është e përkushtuar që të ofrojë jetë sa më të mirë për qytetarët e saj serbë, teksa e ka quajtur të mirëseardhur interesimin e Serbisë për qytetarët serbë në Kosovë.

Këto deklarata Haradinaj i bëri me rastin e inaugurimit të Katedrales së Novobërdës, ku u pyet për zhvillimet aktuale politike që po ndodhin në Serbi.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq se pas datës 3 korrik do të marrë masa kundër Kosovës.

“Është mirë që në Kosovë po punojmë për një jetë, po e quaj ashtu, në respekt të secilit, të ndërsjellë. Ja sot jemi në Novobërdë, një vend multietnik, jetojnë serbët, jetojnë shqiptarët. Dhe, ne jemi të interesuar që prej Kosovës të ndihmojmë me një bashkëjetesë, me një respekt të ndërsjellët. Dëshirojmë po ashtu, të respektohemi me fqinjët tanë, pra edhe me Serbinë, duhet të vjen koha kur duhet të respektohemi, si dy fqinjë. E kaluara është e dhimbshme, tragjike, nuk e harrojmë, por na duhet me ecë përpara, të tjërat janë retorikë e ditës ose e ditëve dhe nuk isha kyç sot më thellë”, tha ai.

Për seancën e cila po mbahet sot në Serbi, e ku temë kryesore është Kosova, Haradinaj tha se janë punë të brendshme të tyre, por, shtoi se Serbia mund të interesohet për një jetë më të mirë të qytetarëve serbë në Kosovë.

“Interesimi për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë është i mirëseardhur, le të interesohet edhe Serbia, le t’iu jep përkrahje për jetë më të mirë. Kjo nuk na pengon neve që edhe ne t’i kryejmë obligimet tona ndaj qytetarëve tonë serbë të Kosovës, për një jetë më të mirë në Kosovë , tha ai.

Kreu i ekzekutivit ka thënë po ashtu se së shpejti priten takime të tjera konsultative me krerët shtetëror për çështjen e dialogut me Serbinë.

“Besoj se shumë shpejt do të ndodhin takime më konkrete. Kemi pasur konsulta të para, të ndërsjellta. Ju e dini, menjëherë pas kthimit prej Berlinit jemi takuar edhe me presidentin, edhe me kryeparlamentarin, ka qenë edhe z. Limaj, kam pasur takime edhe me z. Ahmeti, pra janë konsulta të rregullta, të vazhdueshme, që i mbajmë”, tha kryeministri, transmeton gazeta express

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme