Haradinaj: Marrëveshja arrihet kur Serbia ta kuptojë se s’mund të marrë asgjë nga Kosova

01:37 | 29 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Kandidati i koalicionit parazgjedhor AAK-PSD për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se  marrëveshja finale me Serbinë do të arrihet kur Beogradi ta kuptojë se nuk mund të fitojë asgjë nga Kosova.

“Nëse Serbisë i bëhet e qartë se nuk mund të marrë më asgjë nga Kosova, atëherë për Serbinë mbetet pyetja a të vendosë marrëdhënie të mira fqinjësie me Kosovën”, ka thënë Haradinaj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë se s’mund të marrë asgjë nga Kosova.

Mendoj se edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës duhet t’i tregojnë Serbisë se nuk ka mbetur më diçka për të marrë nga Kosova, por edhe Serbia edhe Kosova marrin nga një marrëveshje të ndërsjellë, se kalojnë në një etapë të re të marrëdhënieve të ndërsjella dhe njëkohësisht përshpejtojnë procesin e tyre të integrimit – Serbia drejt BE-së, ndërsa Kosova drejt integrimeve euroatlantike, sepse ne e synojmë NATO-n”, është shprehur ai.

Haradinaj ka tërhequr vërejtjen se marrëveshja Kosovë-Serbi vonohet për shkak te mesazheve të gabuara që i dërgohen Beogradit.

“Ne po e vonojmë arritjen e një marrëveshjeje, duke çuar mesazhe të përziera se Serbisë mund t’i jepet diçka nga Kosova në shkëmbim të njohjes. Ky është një gabim i madh”, ka thënë ai.

“Nëse Serbia dëgjon mesazhe të përziera, si prej Kosovës , si prej palëve ndërkombëtare, se do t’i jepet diçka në shkëmbim të njohjes, derisa ajo diçka që Serbia e synon nuk i duket e mjaftueshme, nuk i kënaq apetitet e saj, nuk do të kemi marrëveshje”, ka theksuar ai.

Haradinaj ka thënë se Tarifa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë do të mbetet në fuqi deri në njohjen e shtetit të Kosovës. Por, ai e ka lënë të hapur mundësinë e pezullimit të përkohshëm të tarifës.

“Mund të suspendohet taksa për disa ditë, për të ndodhur edhe dakordimi për marrëveshje dhe për njohje reciproke”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme