Google ADS

Haradinaj: Lugu i Baranit, Vranoci e Krysheci zona me traditën e gjatë të heroizmit e rrugës drejt lirisë

19:57 | 27 Maj 2019
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në shenjë nderimi dhe kujtimi për luftën e lavdishme për liri, mori pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore në fshatin Baran i Ulët, i Komunës së Pejës, e vendosur në shtëpinë e Riza Selcës, vëllait të dëshmorit Fetah Selca, shtëpi kjo që kishte shërbyer si Shtab lokal gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ashtu sic njofton edhe zyra e Kryeministrit, Haradinaj tha se tradita tashmë e krijuar në Kosovë për t’i shënjuar vendet ku ka ndodhur përgatitja e luftës, prej ku është udhëhequr, është komanduar, por edhe vendet ku kanë rënë dëshmorë, ku kanë ndodhur ngjarje të luftës, është e pëlqyer nga gjithë popujt e civilizuar dhe ne po u bashkohemi me këtë praktikë.

“Lugu i Baranit është prej zonave me traditën e gjatë të rrugës deri në liri e të sakrificës, një heroizëm i shprehur nëpër dekada me të cilin mburremi të gjithë”, tha kryeministrit Haradinaj, duke theksuar se kjo nuk është e vetmja shenjë dhe e vetmja adresë që e ka Lugu i Baranit, sepse janë mbledhur shtëpi për shtëpi, në shkolla, pra në gjithë Lugun e Baranit.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu gjatë ditës mori pjesë në zbulimin e pllakave përkujtimore edhe në fshatrat Vranoc dhe Kryshec, në kujtim të fillimit të luftës frontale në Komunën e Pejës, në nderim të rezistencës së njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 29 maj 1998 në territorin e këtyre dy fshatrave.

Pas zbulimit të pllakës në Vranoc, kryeministri Haradinaj tha se kjo zonë është me traditë të luftërave për liri, të burrave, trimave, të ngjarjeve të mëdha, është nga zonat që ka shumë histori, që ka qëndruar në të drejtën e vet dhe nuk ka pranuar që askush ta ndryshojë.

“Është një nga zonat që i ka dhënë shumë vendit në të gjitha etapat dhe jemi krenar për historinë dhe rolin tuaj”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj foli edhe për vështirësitë e luftës në këtë zonë, duke thënë se nga ajo ditë e tutje nuk është ndalur asnjëherë lufta e hapur, e cila ka çmim të madh në të gjitha zonat e atdheut tonë.

“Ne duhet të vazhdojmë ta zhvillojmë dhe forcojmë jetën, ta forcojmë lirinë, vendin dhe popullin, atë për çka është luftuar dhe për çka kemi sakrifikuar. Unë mendoj se do t’i kryejmë punët e mëdha të shtëpisë dhe llogaritim ende në përkrahjen dhe besimin e popullit tonë, si çdo herë, sepse pa angazhimin tonë nuk do të kishe ardhur as përkrahja e aleatëve tanë”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se Kosova ka filluar procesin për anëtarësim në NATO, po punohet për anëtarësim në BE dhe janë në prag të realizimit të së drejtës tonë për lëvizje të lirë që është në proces dhe njëkohësisht është konsoliduar shtetësia jonë.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu tha se autostrada e Dukagjinit ndoshta në fillim duket si pengesë, por është e nevojshme dhe ia kthen vlerën kësaj treve.
Gjatë qëndrimit në Vranoc të Pejës, kryeministri Haradinaj ka vizituar shtëpinë e Xhafer Krasniqit, babait të heroit Përparim Krasniqi dhe axhës së heroit Adrian Krasniqi.

“Kosova përjetësisht përulet para veprës dhe sakrificës për liri, të dëshmorëve dhe heronjve tanë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, pas zbulimit të pllakës përkujtimore në Kryshec, kryeministri Haradinaj falënderoi banorët për ndihmën që kanë ofruar gjatë kohës së luftës, duke thënë se në Kryshec kishin gjetur përkrahjen e madhe.

“Është nder i madh të bashkohemi sot kështu. Jemi bashkuar që me simbolikën e një pllake të shënojmë luftën frontale, por edhe kontributin për liri të kësaj treve”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se e kaluara jonë ishte tragjike dhe ajo nuk duhet harruar asnjëherë, por duhet të ecim përpara si Kosovë./Arbresh.info ​

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme