Haradinaj-Kurtit: Prano kërkesën e SHBA-ve për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në afatin e kërkuar

14:56 | 3 Nëntor 2022
L G

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë  e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i është drejtuar shefit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti me tre kërkesa.

Sipas tij, kërkesa kryesore është pranimi i kërkesës së SHBA-ve për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në afatin e kërkuar, si dhe të ndërpriten të gjitha vendimet për zbatimin e vendimit në fjalë, shkruan arbresh.info.

“Ju kam drejtuar me letër kryetarit të Qeverisë së Kosovës, z. Kurti dhe i kam kërkuar që me urgjencë të pranon kërkesën e Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në afatin e kërkuar si dhe të ndërpriten të gjitha vendimet për zbatimin e vendimit në fjalë. Njëkohësisht i kërkoj kryetarit të Qeverisë me këtë letër që deri në marrëveshjen finale të mos ndërmerr asnjë veprim që e rrezikon sigurinë e vendit në cilëndo pjesë të tij, pa koordinim në plotëni me SHBA-të”, tha Haradinaj në një konferencë të jashtëzakonshme të thirrur nga ai në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Po ashtu, Haradinaj tha se ka kërkuar që Kurti të kontaktojë këshilltarin nacional të Presidentit Biden për të qartësuar dhe saktësuar veprimet shtensionim e situatës në veri.

“ I kam kërkuar kryeministrit që të vëj kontakt me këshilltarin nacional për siguri të Presidentit Biden për të qartësuar dhe saktësuar veprimet që shtensionojnë situatën aktuale të sigurisë në rajon, deri në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke”, tha Haradinaj para gazetarëve.

Këto tre kërkesa drejtuar kryeministrit Kurti, sipas Haradinajt, vijnë pas shqetësimit për situatën në veri dhe situatën e sigurisë në brezin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. /arbresh.info/

Të ngjashme