Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën “Furnizimi me energji i sektorit të prodhimit në Kosovë: Energjia e ripërtritshme”, organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, në të cilën theksoi se prodhuesit në Kosovë kanë qenë të lënë vetëm, jo vetëm sa u përket politikave fiskale dhe kreditore, por edhe në problemet tjera, siç është furnizimi me energji.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, konstatoi se problemi me energji elektrike është real dhe si pasojë e furnizimit të dobët me energji, humbjet e bizneseve shkojnë mbi 300 milionë euro në vit.
Duke e cilësuar si problem serioz ndërprerjen e energjisë, e që në shumicën e rasteve është e paparalajmëruar, kryeministri Haradinaj tha se Kosova e ka në urgjencë rritjen e kapaciteteve gjeneruese në tërësi, jo vetëm në atë të ripërtritshme, shkruan arbresh.info.
“Kosova mund ta nisë një periudhë të qëndrueshmërisë së vet energjetike me kapacitetet e reja që janë paralajmëruar me “Kosovën e Re”. Por, “Kosova e Re” , kapacitetet, renovimi dhe mirëmbajtja e kapaciteteve të tashme, nuk i zgjidhin problemet e furnizimit me energji në tërësi, sepse akumulimi i energjisë është i pamundur të ndodh në rast se nuk ka burime alternative të energjisë, me këtë rast të ripërtritshme”, tha kryeministri Haradinaj.
Duke u ndalur te përkrahja e prodhuesve, kryeministri tha se Qeveria do të jetë partnere në punën e tyre dhe në të gjitha sfidat e përbashkëta.
“Vija e parë, apo fronti ekonomik janë prodhuesit, dhe bazuar në këtë, çështja e furnizimit do të trajtohet me kujdes. Ne kemi një operator, KEDS. Kam informata se investimet e deritashme kanë shkuar në atë që quhet tension i ulët që u dedikohet amvisërisë ose familjeve. Koha që vjen, investimet e parapara, që janë rreth 20 milionë, do të shkojnë në atë që është tension i mesëm dhe që mund t’i mbërrijnë bizneset, në këtë rast prodhuesit”, tha kryeministri Haradinaj.
Ai po ashtu tha se Qeveria do ta shtojë kujdesin, bashkëpunimin dhe dialogun e përhershëm me operatorin, por edhe me të gjithë akterët tjerë, që furnizimi me energji të jetë i garantuar, i qëndrueshëm që të mos shkaktojë humbje.
Në këtë konferencë, kryeministri Haradinaj tha se përveç politikave fiskale dhe atyre kreditore të cilat duhet të trajtohen në vazhdimësi, me rëndësi është edhe lirimi i prodhuesve prej taksave.
Ai tha se Kosova është treg i hapur për investime në energji të ripërtritshme dhe ka interes për këto investime. “Ne i kemi mirëprit investitorët e deritashëm, por poashtu jemi këtu që t’i përkrahim në të ardhmen këta investitorë në energji të ripërtritshme”, tha kryeministri, duke potencuar se Qeveria do të jetë e fokusuar në të gjitha politikat që parashihen ta lehtësojnë furnizimin me energji të ripërtritshme./arbresh.info/
Zhduket një vajzë e mitur në Prizren
I mituri ther me thikë të miturin në Fushë Kosovë
Komisioni për Punë të Jashtme takon sot Komisionin për Buxhe...
SHBA njeh liderin e opozitës si president të zgjedhur në Ven...
Ndahet nga jeta në moshën 35-vjeçare aktori Paul Teal
Shënohet Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve