Google ADS

Haradinaj: Kontributi dhe përkushtimi i NATO-s, garancë për paqe dhe siguri në rajon

12:16 | 28 Qershor 2019
Arbresh.info

“Për ne është shumë e rëndësishme që kemi besimin tuaj, të miqve tanë, por ne jo vetëm që ju besojmë juve, por ju ndjejmë si njerëzit tanë, KFOR-in si ushtrinë tonë, mandatin e NATO-s e si shërbimin më të mirë për ne, për paqen dhe stabilitetin e vendit tonë”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së Ndërrimit të Drejtorit të NALT-it, Gjeneral Brigade Uwe A. Becker të cilin nga tash do ta zëvendësojë gjeneral brigade, Michael Oberneyer.

Para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj duke vlerësuar lartë kontributin e gjeneralit Becker, tha se sot jemi të gjithë bashkë që të shprehim respekt për
shërbimin e më shumë se dhjetë muajsh në vendin tonë të gjeneral brigade Uwe Becker.

Kryeministri Haradinaj gjatë fjalës veçoi se është takuar në disa raste me gjeneralin Becker dhe se sot është momenti që t’i themi faleminderit për shërbimin,
në emër të tij dhe të popullit të Kosovës, pasi ky siç tha ai, është një moment special që popullit gjerman t’i themi faleminderit për kontributin e tyre të më
shumë se 20 vite që nga koha e tragjedisë e deri sot.

“Faleminderit burrave dhe grave që kanë shërbyer dhe ende shërbejnë në vendin tonë. Jemi dëshmitarë të një kohe dinamike në rajon dhe të gjithë po luftojmë që të ndërtojmë besim në mes nesh dhe për një vend të ri siç është Kosova nuk është e lehtë që të fitosh besimin përveç njerëzve të vendit po ashtu edhe të komuniteteve që jetojnë tek ne e po ashtu edhe besimin tek fqinjët dhe partnerët e saj”, tha kryeministri Haradinaj, i cili njëkohësisht shprehu falënderim jo vetëm për ato vende që na kanë njohur por edhe për ato që nuk na kanë njohur, sepse siç deklaroi kryeministri, beson se një ditë të gjithë do të jemi në një familje.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj shtoi se Kosova ka një synim, bashkimin e kësaj familjeje dhe në këtë drejtim është duke u bërë një punë shumë e vështirë jo vetëm që të fitohet besimin por edhe të jemi të pranueshëm.

“Ne i takojmë botës së paqes të udhëhequr nga Amerika sepse me luftën tuaj ju qëndruat në të drejtën tonë dhe ndalet tragjedinë e asaj kohe duke na ndihmuar neve që sot të jemi këtu”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj gjeneralit Becker ia ndau medaljen e kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu për meritat e veçantë gjatë shërbimit në Kosovë.

Drejtori i NALT-it, gjeneral Brigade Uwe Becker, falënderoi institucionet për bashkëpunimin, duke thënë se gjatë detyrës së tij si drejtor i NALT, Kosova mori
vendimin per të filluar tranzicionin gradual të FSK-së. Siç tha ai, me miratimin e mandatit të ri të FSK-së, aleatët kanë filluar procesin e rishqyrtimit të nivelit të angazhimit të NATO-s me FSK-në, proces ky që është në vazhdim e sipër.

“Në kuadër të mandatit tonë, ne kemi vazhduar të punojmë krah per krah me kolegët tanë të FSK-së në një mjedis të privilegjuar të transparencës dhe çka është më e rëndësishmja të besimit”, tha gjeneral brigade Becker.

Në këtë ceremoni nga një fjalë e mbajtën edhe ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama, komandanti i
KFOR-it, gjeneral Lorenzo D’Addario dhe drejtori i ri i NALT-it, gjeneral brigade, Michael G.Oberneyer./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme