Haradinaj kërkon raportim urgjent të Kurtit për marrëveshjen në Bruksel

16:00 | 30 Shtator 2021
Përparim Bublaku

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, të bëjë publike tekstin integral të marrëveshjes për targat të arritur në Bruksel.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar që kryeministri Kurti të raportojë urgjentisht në Kuvend, për marrëveshjen.

Postimi i plotë:

Kërkojmë nga qeveria e Kosovës që menjëherë ta publikojë tekstin integral të marrëveshjes për targat.
Nëse është e vërtetë se qeveria ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës, kjo për ne është krejtësisht e papranueshme dhe e dënueshme. Karakteri unitar i shtetit nuk mund të preket.
Poashtu, jemi të indinjuar me barazimin që i është bërë policisë speciale të Kosovës me grupet kriminale që kanë bllokuar rrugët në veri. Njëjtësimi i tërheqjes së grupeve kriminale me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës është ofendim dhe goditje per sovranitetin e Kosovës!
Poshtu, pajtimi që KFOR të marrë nën kontrollë ruajtjen e rendit në veri, kur kjo është kompetencë ekskluzive e organeve shtetërore të rendit e kur misioni i KFOR është ushtarak, është kthim prapa dhe koncesion ndaj Serbisë e me pasoja të rënda për Kosovën.
Kryeministri e ka për detyrë të sqarojë popullin për çdo detaj të kësaj marrëveshjeje dhe urgjentisht të raportojë në Kuvendin e Kosovës.
Askush nuk ka mandat të nënshkruaj kurrëfarë marrëveshjeje që mund të jetë në kundërshtim me sovranitetin e vendit!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme