Google ADS

Haradinaj: Kam besuar se Albin Kurti dhe Vetëvendosje do të ishin zgjidhje e duhur, por sot jam i zhgënjyer deri në palcë

18:57 | 13 Korrik 2022
L G

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, thotë se ishte i pari që kishte folur hapur se Kosova ka nevojë për një rotacion të pushtetit dhe se kishte besuar shumë tek Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje.

Por, sot ai thotë se është zhgënjyer deri në palcë me qeverisjen e Kurtit, shkruan arbresh.info.

“Kam qenë ndër të rrallët në mos i vetmi që kam folur hapur se Kosova kishte nevojë për rotacion të pushtetit. Kam besuar se Albin Kurti dhe Vetëvendosje do të ishin zgjidhje e duhur, por sot jam i zhgënjyer deri në palcë me qeverisjen e tyre! Po si nuk e kryen një punë të hajrit për një vit e sa që janë në qeveri!?”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Ai shkruan se Qeveria Kurti bllokoi ligjin e pagave, që sipas tij, nuk është tjetër pos hajni ordinere ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve, punëtorëve, etj.

Me ligjin e ri të pagave të miratuar nga qeveria ime, të cilin e ka bllokuar Albin Kurti, një mjek “specialist do ta kishte pagën bazë 1200 euro. Sot e ka 703 euro.

Kjo i bjen që Qeveria Kurti, e ka dëmtuar secilin prej tyre nga 6045 euro për vit. Natyrisht pa e kalkuluar inflacionin vjetor prej 14.1 %, i cili do të duhej të ishte harmonizuar me rritjen vjetore të pagave. Ngjashëm është edhe më të gjitha kategoritë tjera të të punësuarve, një numër jo i vogël i të cilëve tashmë e kanë marrë rrugën e mërgimit”, shkruan Haradinaj.

Sipas tij, nuk ka asnjë shpjegim logjik, se pse kjo Qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për mbajtjen, sado kudo nën kontroll, të rritjes enorme të çmimeve.

“Qeverisë i janë rritur të hyrat, por u janë zvogëluar qytetarëve. Nga punët e Qeverisë Kurti, kanë mbetur vetëm deklaratat qesharake të eksponentëve të saj, se “pagat në Kosovë janë rritur më shumë se sa çmimet”. Kam dashur shumë që kjo qeveri të ketë sukses, por ajo sot është shndërruar në qeverinë më antipopullore që ka pasur Kosova ndonjëherë”, është shprehur ai./arbresh.info/

 

 

Të ngjashme