Haradinaj: Jeta e vepra e Agron Haradinajt do të kujtohen si sinonim i guximit dhe përkushtimit për liri

13:24 | 2 Mars 2024
K.B

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar bashkëluftëtarin e tij, Agron Haradinaj në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta.

Haradinaj ka thënë se Agroni një jetë ia kushtoi lirisë së atdheut.

“Agroni një jetë të tërë ishte në shërbim të Atdheut, para lufte, në luftë e në paqe. Jeta për të nuk ishte aspak e lehtë, por Agroni qëndroi gjithmonë i palëkundur. Qysh si i ri ai ndoqi rrugën e atdhedashurisë të cilën e kishte trashëguar nga babai, Smajl Haradinaj. Ishte një nga të burgosurit politik më të ri në moshë, kurse gjatë luftës çlirimtare një nga ushtarët e parë të UÇK-së”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i AAK- tha se jeta e vepra e Agronit do të kujtohen si sinonim i guximit dhe përkushtimit për liri.

“Sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Agronit, nderuam kujtimin për të dhe veprën që la ai pas. Vepra e tij jetësore në shërbim të Atdheut do të kujtohet e nderohet përherë si sinonim i guximit dhe përkushtimit për liri”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka vizituar familjen Halilaj pas ndarjes nga jeta të bashkëluftëtarit Brahim Halilaj.

Haradinaj tha se sot shënojmë gjithashtu shënojmë përvjetorin nga jeta edhe të bashkëluftëtarit nga Carrabregu, Beqë Mustafë Likaj.

“Po ashtu sot, në Gllogjan i shpreha ngushëllime familjes Halilaj pas shkuarjes në përjetësi të bashkëluftëtarit Brahim Halilaj, njëherësh vëlla i dëshmorit Hasim Halilaj. Do ta kujtojmë gjithmonë me krenari si një njeri me vlera të larta njerëzore e i respektuar gjatë gjithë jetës. Sot shënojmë gjithashtu 7-vjetorin e ndarjes nga jeta të bashkëluftëtarit nga Carrabregu, Beqë Mustafë Likaj.I përjetshëm kujtimi për Beqën”, ka shkruar Haradinaj./Arbresh.info/

Të ngjashme