Google ADS

Haradinaj: Iliri kthehet tek vendi ku u nis, ku u nis për lirinë e atdheut

16:37 | 27 Nëntor 2018
A. B.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar Gjeneral Major Ilir Konushevci, Hero i Kombit dhe Dr. Hazir Malaj, Dëshmor i Kombit, e cila u mbajt nën patronatin e Kryeministrit Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast në një fjalë rasti tha se, sot është një ditë e ndjeshme për atdheun, kombin tonë, sepse u deshën 20 vjet që edhe njëherë të
kujtohet rruga e vështirë deri në liri.

Kryeministri Haradinaj, fillimisht falënderoi familjen e Dr. Hazir Mala, që si në ditët e luftës, nuk e lanë Ilirin vet as sot, duke rënë dakord që familjari i tyre të pushojë në tokën shqiptare, në Kosovë, Prishtinë.

Po ashtu, një dëshirë e kuptuar drejtë e të gjithëve nga baca Halit, që Iliri të pushojë në Prishtinë, u vlerësua dhe u falënderua nga kryeministri Haradinaj.

“Në Prishtinë, ai kthehet tek vendi ku u nis, ku u nis për lirinë e atdheut, ku e filloi jo vetëm krijimin e idesë së luftës për liri, por fitoi besimin e besnikëve të atëhershëm të atyre që ishin të njohur në luftën për liri, të komandantit Zahir Pajaziti”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ata të cilët e kanë njohur Ilirin, e mbajnë mend për një djalë shumë të formuar, për një bashkëluftëtar të lehtë, që asnjëherë nuk nxori vështirësi në punë.

Kryeministri duke vlerësuar lart figurën e Gjeneral Ilir Konushevci, tha se ka pasur nderin që edhe ai, edhe familja e tij dhe shumë bashkëluftëtarë, të jenë bashkë në atë kohë, të përgatitjes për luftë, sikurse u përjetua rëndë rënia e tij, por edhe e Hazirit.

“Dëshira ime është që porositë më të mira të veprës së Ilirit e të Hazirit, të jetojnë ndër breza, të jetojnë me fëmijët, me ata që do të rriten në Kosovën e lirë, që të gjithë ne të punojmë së bashku dhe të jemi të bashkuar”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ashtu siç ishte e vështirë të arrihet deri te liria, poashtu është vështirë të ruhet ajo.

Kryeministri Haradinaj tha se forcimi i lirisë bëhet duke forcuar të gjitha ato shtylla të jetës, të cilat kanë një emër për Kosovën, janë institucionet, shteti,ushtria që mbron vendin dhe të gjithë ne që e duam atdheun.

“Sot, sado pak duhet të ndihemi të lehtësuar, sepse një borxh e përfunduam ndaj atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë. Për ata që kanë rënë për liri, përulem me
respekt. Lavdi e përjetshme”, tha kryeministri Haradinaj.

Në këtë Akademi kryeministri Haradinaj u ka ndarë dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, familjeve të Heroit të Kombit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj,
Dëshmor i Kombit.

Në këtë akademi, nga një fjalë rasti mbajtën edhe Rrustem Mustafa, në emër të bashkëluftëtarëve, Rifat Jashari nga Familja Jashari, Sabit Brokaj ish ministër i Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë derisa në emër të familjeve Konushevci dhe Malaj, ka folur Besim Malaj.

Pas homazheve dhe Akademisë, Kryeministri Haradinaj mori pjesë edhe në rivarrimin e Heroit të Kombit Gjeneral Major Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, Dëshmor i Kombit, në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Velani e cila u bë me nderime të larta ushtarake.

Të gjitha këto aktivitete janë organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme